20,04,2024

Historia e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Must Read

Shkruan: Ma.sc. Burim Ugzmajli

Para 27 vjetëve shqiptarët e Kosovës ia kishin dhënë Ibrahim Rugovës 867 mijë vota, kurse LDK’së 574 mijë vota. Këto dy rekorde ende nuk janë thyer. Ka mundësi që as nuk do të thyhen ndonjëherë. Mirëpo, si ka ecur LDK në këto 27 vjet pluralizëm? Cila është historia e kësaj partie?
Prej kur votohet në Kosovë, është fjala prej kur votohet lirshëm, prej kur votohet për shumë parti, Lidhja Demokratike e Kosovës ka marrë më së shumti kokrra. Është fjala si tërësi.
Demokracia në vendin tonë ka lindur në një periudhë të errët. Ne kemi filluar të votojmë për njëri tjetrin, për parti të ndryshme, në kohën kur pushteti faktikisht dhe juridikisht i takonte okupatorit serb. Mirëpo një gjë e tillë nuk na pengonte që të improvizonim. Më shumë se sa demokraci, ajo ishte një hyrje në demokraci. Një lloj ushtrimi demokratik, pa efekte anësore. Nuk i bënte dëm askujt. Ustah i kësaj fushate ishte Presidenti Rugova. Për të e rëndësishme ishte që ne që banonim në Kosovë, në kokën tonë, në iluzionet tona, të jetonim në Republikën e Kosovës. Pastaj, nëse pasdite një polic serb na kthente në realitet duke na rrahur të gjithë fshatin para dyerve të oborreve, kjo për Rugovën kishte pak ose aspak rëndësi. Për të ishte e rëndësishme se çfarë dëshironim ne, e jo çfarë dëshironte regjimi serb. Ata hesapet e tyre, ne i kishim tonat. Ata votat e tyre, ne i kishim tonat. Ata hallet e tyre, ne i kishim tonat – shumë më të mëdha.
E tillë ishte gjendja. Mirëpo, për dallim prej sot, kur uniteti kombëtar ekziston vetëm në libra të historisë, në atë kohë kur kryenim ushtrime demokratike, kur votonim, kur serbët shqyeheshin së qeshuri me pretendimet tona, shumica dërrmuese e popullatës e votonin një person dhe një subjekt politik. LDK’në dhe Ibrahim Rugovën. Që të mos dukej ushtrimi komik, Rugova vendoste t’i verë konkurrencë të brendshme, të paqenë. Pluralizmi është i lidhur ngushtë me emrin e tij. Para Rugovës në Kosovë nuk ka ekzistuar koncepti i zgjedhjeve. Ka ekzistuar vetëm koncepti i emërimeve. Për të mos dështuar procesi Rugova ndërhynte aty ku kishte nevojë. Bie fjala duheshin shpikur parti të reja dhe politikanë të rinj. I tillë ishte, ndoshta i mbijetuari i vetëm, Gjergj Dedaj, zëvendësministri kryesor i 12 viteve të fundit. Nuk ishte vetëm Gjergji. Ishte edhe Mark Krasniqi. Rugova e donte shumë tolerancën fetare. Prandaj kastile i shtynte në plan të parë katolikët, ndonëse në përqindje, si komunitet, ishin, dhe janë, inferior. Pra, bashkë me demokracinë Rugova synonte që ta ushqente edhe tolerancën fetare në mes të shqiptarëve. Jo vetëm kaq, ai vazhdimisht tregonte që në një Kosovë të pavarur, të hapur ndaj Serbisë dhe Shqipërisë, do të jetojnë edhe serbët dhe minoritetet tjera.
Kështu, besimtar i këtyre koncepteve, Rugova e ftoi popullin të dal në zgjedhje për të zgjedhur Presidentin dhe për t’i zgjedhur deputetët e ardhshëm të Kuvendit të ardhshëm, të parit kuvend demokratik.
Kështu, në maj të vitit 1992, shqiptarët e Kosovës, para hundëve të forcave serbe, në radhë të gjata dolën për të votuar. Rugova e kishte dizajnuar një sistem parlamentar ndryshe prej këtij që është sot. Kosova ishte Republikë gjysmë presidenciale. Presidenti zgjidhej nga qytetarët dhe kishte kompetenca më të mëdha prej çfarë i ka sot. I kishte në letër ato kompetenca, sepse nuk mund të ushtroheshin në asnjë .Pra, nuk është gjenialiteti ai që fiton në fund. Është ideja dhe këmbëngulja.
E tillë ishte kjo e Rugovës. Ai idenë e kishte. Në fakt ideja kishte qenë edhe më herët, por e parealizuar. Ata, para tij, nuk kishin qenë sa duhet këmbëngulës në të. Ndoshta nuk kishin besuar aq sa duhet. Hapi i dytë ishte plasimi i idesë në publik. Ta shesësh atë.
Qytetarët po e hidhnin votën e tyre në kuti të votimeve për të mos u kthyer mbrapa. Votuan të gjithë. Si në karvan. Votimet bëheshin nëpër shitore, nëpër hangare, nëpër shtalla. Kudo. Askush nuk frikësohej që po vidheshin votat. Ajo ishte e pasigurt vetëm deri në momentin që ishte jashtë sandëkut. Kur futej brenda bëhej e plotfuqishme. Politikanët, ata që na udhëhiqnin, edhe më tutje nuk ishin të komprometuar, siç janë sot bie fjala. Në fakt ata ishin shndërruar në idhuj. Po rriheshin e po vriteshin me popullin dhe për popullin.
Në këto zgjedhje, Ibrahim Rugova i fitoi rreth 860 mijë vota, duke u bërë kështu, edhe sot e kësaj dite, si politikani me më së shumti vota në të gjithë historinë. Kjo shifër, sipas të gjitha gjasave, do të mbetet e pa cenueshme sa të ketë jetë mbi tokë. LDK në anën tjetër, si subjekt politik, i mori mbi gjysmë milioni vota. E njëjta logjikë, si për Rugovën, vlen edhe për LDK’në.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Vrasje e mbetur në tentativë në Ferizaj

Me datën 19.04.2024 në ora 17:47 policia rajonale e Ferizajt ka pranuar një informatë se në udhëkryqin e rrugëve...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img