24,11,2024

Haradinaj: Ta bëjmë një Demarkacion tjetër deri në vjeshtë

Must Read

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se nuk beson që do t’i kthehen formave jo konvencionale të kundërshtimit në Kuvend.

Haradinaj, në një intervistë për Radio Evropa e Lirë, thotë se çështja e demarkacionit me Malin e Zi nuk ka qenë fokusi i vizitës së Zëvendës Sekretares Amerikane të Shtetit, Viktoria Nuland, në Prishtinë. Gjithashtu, ai ka mirëpritur ftesën e ambasadorit të Mbretërisë së Bashkuar, Ruairi O Connell, për Qeverinë e Kosovës që të organizojë debat lidhur me sqarimin e marrëveshjes së Demarkacionit.

Kreu i AAK-së thotë gjithashtu se duhet hedhur poshtë marrëveshja aktuale për demarkacion me Malin e Zi dhe të formohet një komision i qeveritar dhe të gjendet zgjidhja për këtë çështje para shtatorit.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Haradinaj, pas vizitës së ndihmës sekretares amerikane të shtetit Viktoria Nuland, a kanë ndryshuar rrethanat në favor të miratimit të ligjeve të debatueshme në Kuvend, e veçanërisht ligjit për Demarkacionin me Malin e Zi?

Ramush Haradinaj: Vizita e ndihmës sekretares së shtetit, zonjës Nuland, në Kosovë, ishte respekt për Kosovën, sepse u përfshi edhe Kosova në një vizitë rajonale. Temat që e preokupojnë Kosovën dhe që janë kthyer edhe në shqetësim për Departamentin e Shtetit Amerikan, janë gjendja në rend dhe ligj e veçanërisht situata me korrupsionin.

Po ashtu, zhvillimet në rajon, pra, dialogu e temat tjera. Nuk kam hetuar ndonjë fokusim të veçantë në ligjet e diskutueshme e që në këtë rast janë: Bashkësia e komunave serbe- versioni i hedhur poshtë nga Gjykata Kushtetuese – dhe vijëzimi me Malin e Zi ose demarkacioni, një version i hedhur poshtë nga ekspertë dhe nga të gjithë njohësit e kësaj çështje.

Radio Evropa e Lirë: Megjithatë, zyrtarët e Qeverisë së Kosovës e kanë përmendur si çështje, çështjen e demarkacionit, se është diskutuar në takimet me Nuland. Të paktën, kështu e kanë cituar…

Ramush Haradinaj: Është e arsyeshme që Kosova e ka temë diskutimi këtë, për shkak se e ka në agjendën e vet, mirëpo nuk ishte temë prioritare e kësaj vizite. Pra, fokusimi është në rendin dhe ligjin, kthimi i besimit në institucione, në sistemin politik, e veçanërisht edhe porosi të qarta për një qeverisje jokorruptive dhe racionale. Unë mendoj se këtu ishte fokusimi i zonjës Nuland. Po ashtu, temat që i ka Kosova ose agjenda e Kosovës, janë preokupim i të gjithëve.

Edhe ne jemi për t’i zgjidhur këto tema. Për shembull, për demarkacionin ne kërkojmë që të hidhet poshtë versioni aktual, të ndryshohet Komisioni qeveritar që ekziston, si dhe t’i jepet mundësia edhe Kuvendit, por edhe qeverisë që të rifillojë këtë çështje. Pra, ne jemi që të procedohet sa më shpejtë, në mënyrë që të fitojmë kohë dhe të gjendet zgjidhja e duhur e që është kufiri në Çakor dhe në Kullë.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Haradinaj, ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, Ruairi O’Connell, ka ftuar qeverinë të organizoj debat lidhur me sqarimin e marrëveshjes. Si e shihni ju këtë kërkesë?

Ramush Haradinaj: Është shumë e mirëseardhur, për shkak se qeveria ka qenë e mbyllur, deri më tani, ndaj çdo lloj mendimi ndryshe, edhe ndaj ekspertizës së ekspertëve dhe ndaj mendimet ndryshe e të gjithë të tjerëve. Kësi soji, qeveria do ta bënte një veprim të mençur duke u hapur dhe duke e hapur temën për të gjithë. Pra, është diçka e dobishme, besoj.

Radio Evropa e Lirë: AAK dhe Nisma e kanë bojkotuar për muaj të tërë Kuvendin e Kosovës. Në qoftë se , siç është paralajmëruar, qeveria e fut në Kuvend ligjin për demarkacion, a do të riktheheni në seancë?

Ramush Haradinaj: Po. Dalja e jonë nga Kuvendi është politike. Është për shkak të temave të këtilla politike, të Bashkësisë së komunave serbe – versionin e hedhur poshtë nga Gjykata (Kushtetuese) – si dhe të versionit të gabuar të demarkacionit. Ne kemi thënë që, kurdo që kthehen këto tema, do të jemi aty për t’i kundërshtuar ato.

Pra, mbesim në qëndrimin e palëkundur në kundërshtimin e versionit të gabuar të demarkacionit dhe do të jemi në Kuvend jo vetëm për të kundërshtuar në kuptimin si kundërshtim, por të punojmë së bashku me secilën dhe secilin deputet, jo vetëm ata shqiptarë, por edhe të komuniteteve etnike, që t’i themi “jo” versionit të gabuar të demarkacionit dhe ta hapim këtë çështje për zgjidhje.

Pra, po, jemi në parlament, së bashku me Nisma-n. Është në pajtim të plotë boshti opozitar AAK- Nisma që të kthehemi në parlament.

Radio Evropa e Lirë: Cilat do të jenë format ose mjetet që do të përdorni për parandalimin e miratimit të këtij ligji?

Ramush Haradinaj: Shikoni, deri tani ka ndodhur një kundërshtim i ashpër, i gjerë, i gjithëmbarshëm i kësaj teme. Pra, që nga kundërshtimet, t’i quajmë ato ma të dhimbshme në Parlamentin e Kosovës, në rrugët e Prishtinës, në protestat e komunitetit në brezin kufitar, protestat e ekspertëve dhe të gjitha qëndrimet.

Dje pashë që edhe shqiptarët e Amerikës kishin një qëndrim shumë të qartë, që të mos procedohet me versionin e gabuar të demarkacionit. Pra, ne e vazhdojmë këtë kundërshtim, por pa precizuar se cilat metoda i kemi. T’ju them të drejtën, ne nuk jemi ndier mirë asnjëherë, as në të kaluarën kur në Kuvendin e Kosovës janë përdorur metoda jo aq, t’i quaj ashtu, konvencionale për një parlament.

Mirëpo, jemi aty për të kundërshtuar, por nuk besoj që do ta kemi nevojën kësaj here për çfarëdo kundërshtimi sikurse ka ndodhur në të kaluarën, për shkak se ne hetojmë një qëndrim shumë pozitiv edhe të deputetëve të pozitës. Pra, na vjen shumë mirë që partitë politike në pozitë- kemi dëgjuar shumë deputetë të PDK-së, por ka edhe nga LDK dhe nga komunitetet jo serbe në parlament – që do ta kundërshtojnë këtë version të gabuar të demarkacionit.

Radio Evropa e Lirë: Ratifikimi i marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, është kusht i drejtpërdrejtë për liberalizim të vizave për Kosovën. Nëse nuk bëhet deri në shtator, qytetarët e Kosovës nuk do të mund të udhëtojnë lirshëm, të paktën gjatë këtij viti. A ndjeni përgjegjësi, si pjesë e opozitës, nëse kjo ndodhë?

Ramush Haradinaj: Ne po kërkojmë qe sa kohë që të zgjidhet çështja e demarkacionit. Qeveria ka qenë e mbyllur. Pra, ne kemi një vit që kërkojmë rihapjen e kësaj çështje, në mënyrë që të fitohet në kohë. Përgjegjësia bie mbi një qeveri të korruptuar, mbi gabimet e saj që ka bërë në shënjimin e vijës kufitare. Kuptohet që mund ta shfrytëzojmë kohën e mbetur, nga tash e deri në shtator, që ta hedhim poshtë këtë version, ta rifillojmë një komision qeveritar dhe ta gjejmë zgjidhjen për Demarkacionin, mundësisht para shtatorit.

Ajo që po ashtu është me rëndësi të thuhet, kjo është një situatë e çuditshme, kur lëvizja e lirë e qytetarëve të një vendi kushtëzohet në këtë mënyrë. Pra, nuk ka ndodhur në të kaluarën me vendet tjera dhe mendojmë se kjo, po ashtu është dobësi e institucioneve të Kosovës, pra, e Qeverisë së Kosovës. Jemi të habitur për vonesën kaq të madhe që po i bëhet Kosovës.

Pra, është një diskriminim i madh ndaj qytetarëve të Kosovës dhe ndaj Kosovës, çështja e liberalizimit të vizave. Ne kemi bërë apel, në çdo vizitë që kemi pasur jashtë vendit. Tash kam qenë edhe në Berlin dhe kam kërkuar që të përshpejtohet procesi i liberalizimit të vizave dhe t’iu mundësohet qytetarëve të Kosovës që të lëvizin lirshëm, pa marrë parasysh agjendën që e ka Kosova, pra, me temat si Bashkësia e komunave serbe dhe Demarkacioni.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Arrestohen tre persona në Ferizaj, njëri për vjedhje dhe dy për pengim në detyrë të zyrtarëve policor

Më datën 21.11.2024 rrth orës 19:00 kemi pranuar informatën se në rrugën ‘’Dëshmorët e Kombit’’ në Ferizaj, në dy...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img