Sheshi qendror i Ferizajt u vërshua sot nga qindra produkte të sjella për ekspozim nga bujqit dhe fermerët ferizajas. Nga mëngjesi, në këtë shesh ngritën stendat e tyre bujq të ardhur nga fshatra e zona tjera të Ferizajt dhe më gjerë në hapje të Panairit të Produkteve Bujqësore që po organizohet për herë të dytë si rrjedhojë e bashkëpunimit mes Komunës së Ferizajt dhe organizatës IKC.
Për të bashkëbiseduar me bujqit, fermerët si dhe për të parë e blerë produktet e tyre, doli edhe Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu bashkë me nënkryetarin Naim Ferati, drejtorin e Bujqësisë, Burim Bajrami si dhe drejtorin i Zhvillimit Ekonomik, Zekir Bytyqi.
Investimet në mekanizëm bujqësor, ndihmesa me produkte e pajisje e subvencionime të tjera ishin theksi që vuri i pari i Ferizajt, Agim Aliu, në fjalën e tij. Tutje, ai u zotua se do të vazhdoj dhe rritet mbështetja për bujqit ferizajas.
“Është kënaqësi e veçantë që ritakohemi në sheshin e Ferizajt, duke ekspozuar dhe shitur produktet e çmuara të dala nga duart tuaja, nga puna juaj. Sigurisht se nuk kemi dashur t’iu lëmë vetëm, as vitin e kaluar, as këtë vit e nuk do t’iu lëmë vetëm edhe në të ardhmen sepse dëshirojmë t’iu mbështesim pikërisht për arsyen e thjeshtë, sepse duhet jetuar nga puna dhe ne e çmojmë punën tuaj dhe dëshirojmë të jemi pjesë e kësaj pune të ndershme, dëshirojmë të jemi e mbështetjes së njerëzve që e zhvillojnë mbi të gjitha ekonominë së pari familjare por edhe ekonominë e vendit, por mbi të gjitha me produktet tuaja, sigurohet edhe shëndeti i qytetarëve sepse nuk ka më mirë dhe nuk ka më sigurt se të konsumosh prodhime vendore” tha Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu.
Edhe përfaqësuesi i IKC, Agron Arifi duke falënderuar Komunën e Ferizajt për mbështetjen e pakursyer në organizimin e këtij panairi tha se ky organizim është një mundësi për bujqit, që kombinuar me prezencën e mërgatës, rrit shitjen dhe qarkullimin e produkteve vendore.