13,04,2024

“Glauk Konjufca nuk vendos se kush do të jetë kryeministër”!

Must Read

glauk

 

Zëdhënësi i AAK-së Muharrem Nitaj, u është përgjigjur deklaratave të deputetit të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, sipas të cilit Ramush Haradinaj nuk mund të jetë kryeministër përderisa AAK-ja është partia e katërt.
Ai në një intervistë të shkurtër për Gazetën Blic, ka thënë se nuk është Konjufca, ai i cili përcakton se kush do të jetë kryeministër.

Nitaj ka deklaruar se nuk beson që VV-ja do të heqë dorë nga qëllimet e përbashkëta opozitare.

“Nuk jam në dijeni nëse ata kanë paraqitur kushte. Fundja as nuk e kuptoj nëse duhet të paraqiten kushte për protesta. Ose duhet të jesh i bindur për një gjë të tillë, ose jo dhe VV-ja deri më sot ka treguar se është e bindur për një gjë të tillë. Unë vetë kam qenë me eksponentë të lartë të VV-së nëpër tubime, për t’u shpjeguar qytetarëve  se pse duhej protestuar. Nuk po besoj që ata kaq lehtë e kaq shpejt heqin dorë nga qëllimet e përbashkëta”, ka thënë Nitaj.

Gazeta Blic: Deputeti i VV-së Glauk Konjufca, tha mbrëmë që nuk ka parë vullnet tek AAK-ja për një alternativë të përbashkët opozitare. Sipas tij, i bie që AAK-ja është shkaktari i fillimit të ndarjes së opozitës. Si i komentoni këto deklarata?

Muharrem Nitaj: Është e dhimbshme që unë duhet të merrem me atë që deklaron Glauk Konjufca, e jo me boshtin e problemit. Dhe boshti i problemit është keqqeverisja në vend, është kapja e shtetit, është gjendja e rëndë socio-ekonomike, është krimi dhe korrupsioni, është tmerri që ky pushtet ka bërë me këtë vend.

Sa i përket asaj që ka deklaruar Glauk Konjufca, unë kam një përgjigje. AAK-ja është e vendosur që ta kundërshtojë këtë qeverisje, është e vendosur që t’i japë një zgjidhje vendit, është e vendosur që të mos koketojë me pushtetin kundërkushtetues, është e vendosur që ta detyrojë këtë pushtet që ai t’ia kthejë mandatin popullit. Unë kam kujtuar se detyrë mbi detyrat, edhe për VV-në do të duhej të ishin pikërisht këto objektiva, e jo krijimi i disa alternativave, që dikush vihet mbi tjetrin. Kjo i bie “tigani në zjarr e peshku në det”!

Se kush është fajtor për ndarjen e opozitës, nëse ajo qenka ndarë, vlerësojeni vetë. Ata që u ndalën në rrugën e kundërshtimit apo ata që po vazhdojnë.

Gazeta Blic: Konjufca ndër të tjera tha se Ramush Haradinaj le ta harrojë postin e kryeministrit, për shkak se AAK-ja është partia e katërt, duke shtuar se VV-së i takon prijësi i listës dhe kryeministri. A është kjo arsyeja e fillimit të ndarjes së opozitës?

Muharrem Nitaj: Nuk e kam dëgjuar se [ka ka folur Galuk Konjufca, sepse kam qenë në terren për të parë trishtimin e qytetarëve me gjendjen në vend.

Po se kush do të jetë kryeministër, e vendos qytetari e jo Galuku. Fundja pak ka rëndësi nëse je partia e katërt, si[ qenka shprehur ai, apo partia e tretë ku është edhe ai.

Sa i përket kandidatit për kryeministër, AAK, ia ka ofru mundësinë e zgjedhjes VV-së, duke përfshirë edhe kandidatin për kryeministër, por ata i kanë pasur disa ide të tjera, për të cilat ka mundur të flasë edhe Glauku. Apo ndoshta nuk i ka ditur sepse nuk mbaj mend të ketë qenë në ndonjë takim të përbashkët që e kemi pasur me VV-në. Edhe kjo është e mundur.

Gazeta Blic: VV po thotë se i ka disa kushte për të marrë pjesë në protestën e 14 majit. Ju ka paraqitur kushte VV-ja dhe a do t’i pranonit, në mënyrë që të marrin edhe ata pjesë në protesta?

Muharrem Nitaj: Nuk jam në dijeni nëse ata kanë paraqitur kushte. Fundja as nuk e kuptoj nëse duhet të paraqiten kushte për protesta. Ose duhet të jesh i bindur për një gjë të tillë ose jo dhe VV-ja deri më sot ka treguar se është e bindur për një gjë të tillë. Unë vetë kam qenë me eksponentë të lartë të VV-së, nëpër tubime për t’iu shpjeguar qytetarëve,  se pse duhej protestuar. Nuk po besoj që ata kaq lehtë e kaq shpejt heqin dorë nga qëllimet e përbashkëta.

 

/GazetaBlic/

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Një muaj paraburgim ndaj V.A., i dyshuar për vrasjen e ish-gruas në Ferizaj

Ferizaj, 13 prill 2024 – Gjykata Themelore në Ferizaj – Departamenti i Krimeve të Rënda  ka aprovuar kërkesën e...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img