Prishtinë – 12.12.2019 – Gjykata Themelore në Ferizaj, përkatësisht kryetari i kësaj Gjykate Bashkim Hyseni, ka pranuar çmimin Gjykata më Transparente në Kosovë – për dedikim të vazhdueshëm në ngritjen e transparencës përmes publikimit të aktgjykimeve, e ndarë gjatë konferencës për transparencën e Gjyqësorit e cila po organizohet nga BIRN dhe lëvizja FOL, me mbështetjen e programit të USAID – JSSP.
Kryetari i kësaj Gjykate Bashkim Hyseni pas pranimit të çmimit, para të pranishmëve deklaroi se ky çmim i dedikohet të gjithë stafit të gjykatës së Ferizajt.
“Kjo reflekton më së miri angazhimin dhe përpjekjet tona në përditshmëri për të arritur që Gjykatat tona të jenë gjykata tërësisht të hapura për publikun, dhe që në rrugëtimin tonë të bëjmë që gjykatat kosovare të jenë në tërësi ekuivalente sa i përket transparencës me gjykatat e unionit evropian. Ky çmim i dedikohet të gjithë stafit, e në veçanti zyrës për informim që kanë qenë të përkushtuar çdo ditë maksimalisht që të arrihet ky standard i arritur”, deklaroi Hyseni.
Nga statistikat e publikuara me këtë rast lidhur me aktgjykimet e publikuara në ueb portalin gjyqësor, Gjykata Themelorë në Ferizaj, ka të publikuara 1.245 aktgjykime, ndërsa gjyqtari me më së shumti aktgjykime të publikuara është Fitore Daci – Krivanjeva po ashtu gjyqtare e Gjykatës Themelore në Ferizaj
Gjatë kësaj konference, u tha se Gjykatat në tërësi deri në prill të vitit 2019 kanë publikuar 10.186 aktgjykime, ndërsa deri më 15nëntor 2019 janë publikuar 6.611 aktgjykime apo 1.020 për muaj. Tri gjykatat të cilat prijnë më numrin e aktgjykimeve të publikuara janë: Gjykata Themelore e Ferizajt me 1.245; Gjykata e Apelit me 1.176, si dhe Gjykata Themelore në Prizren me 1.056.