Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka shpallur të pavlefshëm, në tërësinë e tij, Ligjin për Pagat në Sektorin Publik, raporton Express.
Përmes një komunikate drejtuar mediave, Kushtetuesja ka njoftuar se ka marrë vendim të shquqizojë vendimin për caktim të masës së përkohshme të 12 dhjetorit 2019, si dhe vendimin për vazhdim të masës së përkohshme të 30 marsit 2020.
“II. TË SHPALLË, me shumicë, se Ligji nr. 06/L-111 për Pagat në Sektorin Publik, në tërësinë e tij, nuk është në përputhshmëri me: nenet 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit]; 7 [Vlerat]; 102 [Parimet e Përgjithshme të Sistemit Gjyqësor]; 103 [Organizimi dhe Jurisdiksioni i Gjykatave] paragrafi 1; 108 [Këshilli Gjyqësor i Kosovës]; 109 [Prokurori i Shtetit]; 110 [Këshilli Prokurorial i Kosovës]; 115 [Organizimi i Gjykatës Kushtetuese]; dhe me nenet 132 [Roli dhe Kompetencat e Avokatit të Popullit]; 136 [Auditori i Përgjithshëm i Kosovës]; 139 [Komisioni Qendror i Zgjedhjeve]; dhe 141 [Komisioni i Pavarur i Medieve] të Kapitullit XII [Institucionet e Pavarura] të Kushtetutës;”, thuhet në komunikatë.
Ndryshe, vetëm pesë ditë pasi ka hyrë në fuqi Ligji i ri për paga, në dhjetor të 2019-s, Avokati i Popullit e kishte dërguar atë në Gjykatën Kushtetuese për vlerësim të përputhshmërisë së tij me Kushtetutën
Kërkesa ishte bërë pasi Avokati i Popullit kishte pranuar 35 ankesa nga subjekte të ndryshme të sektorit publik të parashtruara kundër Ligjit për paga, duke përfshirë këtu edhe ankesat nga punëtorët në shëndetësi, në arsim, në polici dhe në shërbimin civil.