Ministria e Shëndetësisë dhe Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale e kanë përkrahur punësimin ligjor në Gjermani të rreth 250 infermierëve të diplomuar në shkollat profesionale në Kosovë, në kuadër të një marrëveshjeje të ndërmjetësuar me spitalet në Gjermani.
Një numër i infermierëve të diplomuar në shkollat e Kosovës, i kërkuar për punë ligjore në Gjermani, do të pajiset me leje pune. Ata infermierë do të kenë mundësi të qëndrojnë në shtetin gjerman për dy vjetët e ardhshëm.
Njëri nga infermierët, (emri i njohur për redaksinë ) që ka vendosur të shkojë në Gjermani, thotë se “çështja e pagës është ajo që më së shumti ka ndikuar të largohet nga Kosova”.
“Sado që arrin të kryesh shkollim adekuat, në Kosovë do të jesh i barabartë me infermierët që kryejnë shkollën e mesme. Unë kam kryer Fakultetin e Infermierisë dhe tashmë jam në studime master. Në qytetin e Prizrenit jam takuar me shtetasit gjerman, të cilët kanë ardhur për të marrë infermierë nga Kosova. Tashmë kam vendosur të shkoj atje, dhe sigurisht gjatë testimeve u ka pëlqyer puna jonë dhe nuk ka dalluar nga infermierët që punojnë në institucione shëndetësore në Gjermani’’,thotë ai.
Por, kthimi nga Gjermania, kurdo që të mund të ndodhë, as bashkëbiseduesit dhe asnjërit nga 250 infermierët që mund të punësohen atje, nuk do t’u mundësojë punësim në institucionet spitalore të Kosovës, pavarësisht edukimit profesional dhe përvojës së fituar në punë.
Aktualisht, Qendra Klinike Universitare e Kosovës ka rreth 613 mjekë dhe 1,833 infermierë, të punësuar, por numri tyre nuk është aspak në përputhje me nevojat dhe kërkesat e popullatës së Kosovës.
Zëvendësministri i Shëndetësisë, Izet Sadiku, thotë për Radion Evropa e Lirë se nuk ka ndonjë garanci që stafi i mesëm shëndetësor do të punësohet në Kosovë me kthimin nga Gjermania, kurdo që kjo të ndodhë.
“Infermierët do të kenë kontrata të punës në Gjermani dhe ne e përkrahim iniciativën. Por, infermierët nuk e kanë të garantuar se do të punësohen pasi të kthehen. Sigurisht, kjo varet nga buxheti. Kosova ka nevojë për ta, por nëse ata dëshirojnë të vazhdojnë të punojnë në Gjermani, mund ta bëjnë një gjë të tillë’’, thotë Sadiku.
Ndonëse sistemi publik shëndetësor ka nevojë për më shumë staf mjekësor, e posaçërisht për infermierë të shkolluar, zyrtarë qeveritarë thonë se Fondi Monetar Ndërkombëtar ka përcaktuar numrin e të punësuarve dhe nuk ka lejuar rritjen e stafit.
Sindikata e shëndetësisë thotë se institucionet shëndetësore në Kosovë kanë nevojë që të punësojnë edhe më shumë 5 mijë infermierë.
Por, Blerim Syla, nga Federata Sindikale e Shëndetësisë, konsideron se përkrahja nga ana e Qeverisë së Kosovës, për t’i dërguar infermierët jashtë vendit, shihet si një diskriminim profesional.
“Këtë e argumentoj vetëm me një çështje. Në Kosovë kemi nevojë për 5 mijë infermierë, në anën tjetër i dërgojmë jashtë vendit ata që i kemi shkolluar këtu. Nëse ky është sukses, atëherë unë nuk e di çfarë ndjenja morale kemi! Po e shfrytëzojnë trurin tonë dhe po i dërgojnë jashtë vendit. Ky është një manipulim i radhës i disa kompanive që vijnë nga Evropa dhe lidhin marrëveshje me Ministrinë e Shëndetësisë, i marrin kuadrot e shkolluar dhe pas dy vjetësh i hedhin në rrugë ata”,konsideron Syla.
Por, zëvendësministri i Shëndetësisë, Izet Sadiku, në një bisedë me Radion Evropa e Lirë thotë se ndonëse institucionet e vendit janë në dijeni për mungesën e infermierëve, por mospunësimi i tyre ndodh për shkak të mungesës së buxhetit.
“Duke marrë parasysh diplomimin e madh të të rinjve në sektorin e shëndetësisë, ne kemi përkrahur marrëveshjen që të marrin përvojë në Evropë dhe pas dy vjetësh të kthehen në Kosovë”, shprehet Sadiku.
Qendra Emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, si qendër terciare referente për gjithë Kosovën, sipas profesionistëve shëndetësorë është mbingarkuar me punë dhe mungesë stafi, njëherësh është institucioni prej nga më së shumti ikin, si mjekët, po ashtu edhe infermierët.
Më herët, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, këtë e pati konfirmuar edhe vetë drejtori i Qendrës Emergjente, Basri Lenjani. Ai pati deklaruar se shumë mjekë e infermierë tashmë janë në kurse të gjuhës gjermane, pasi që Gjermania ka kërkesë të madhe sidomos për infermierë.
Kosovarët, pati thënë ai, janë të interesuar të punojnë atje për shkak të kushteve më të mira të punës dhe pagës më të madhe.
“Kemi informata që një pjesë e stafit mjekësor, mjekë dhe infermierë, po e mësojnë gjuhën gjermane. Por, ne nuk duhet lejuar që njerëz profesionistë të ikin nga vendi, pasi që për ata njerëz ka nevojë Kosova”, kishte thënë Lenjani gjatë intervistës.
Ndryshe, Kosova, për t’i përmbushur standardet evropiane, thonë eskpertë të fushës, duhet që t’i punësojë në institucionet publike shëndetësore edhe dy mijë mjekë e pesë mijë infermierë aq sa edhe nevojiten për kokë banori.(REL)