Institucionet e Kosovës duhet patjetër të formojnë ligjin shtesë për FSK-në. Sipas këtij ligji, FSK-së do i mbetet emri i njëjtë, por do i shtohen kompetencat ushtarake.
Njohësi i çështjeve ushtarake, Gjeneral major Ramadan Qehaja ka thënë se ndryshimet kushtetuese mund të bëhen më vonë, ndërsa formësimi i ligjit shtesë duhet përshpejtuar.
Në një deklarim për “Indeksonline”, Qehaja është shprehur se Kosova aktualisht nuk ka rrugëdalje tjetër.
“Ne duhet domosdoshmërish të formësojmë Ligjin për FSK-në e cila do të mbetet me emër si e tillë, por do t`i zgjerohen kompetencat që kanë të bëjnë me çështjet ushtarake. Tjetër rrugëdalje nuk kemi. Unë kam punuar në formimin e FSK-së dhe kujtoj se nuk ka zmbrapsje, ne jemi në vonesë shumë të madhe. Ashtu sic ka thënë kryeministri aktual, duhet të shkojmë në mënyrë sa më të përshpejtuar, të kalojë ligji i ri shtesë për FSK-në ku do i përcaktohen detyrat e tjera që ka të bëjë me çështje ushtarake. Kur të vie koha për ndryshime kushtetuese që kanë të bëjnë me çështje tjera, atëherë ato do të bëhen më vonë, por tash për tash nuk guxojmë të kemi ngecje në këtë drejtim”, ka thënë ai.
I pyetur rreth kërkesës për largim nga FSK-ja që e kanë shtruar rreth 40 pjesëtarë të nacionalitetit serb, Qehaja ka thënë se kjo është ndërhyrje që Beogradi po e bën në punët e Kosovës.
Sipas tij, duhet që institucionet të jenë më të zëshme në planin politik dhe diplomatik, që të tregojnë destruktivitetin e Beogradit në lidhje me pjesëtarët serbë në FSK.
“Beogradi zyrtar po bën presion, shantazh tek këta persona, pjesëtarë të FSK-së nga nacionaliteti serb, po e bën me qëllim që t`i frikësojë dhe ata të mos jenë pjesë përbërëse e FAK-ut. Këtë qëllim po e arrin sepse Beogradi po ndërhynë në punë të brendshme të Republikës së Kosovës, sa i përket qytetarëve të Kosovës. Ata nuk po munden lirshëm të punojnë punën e vet, përkatësisht si pjesëtarë të FSK-së. Është dashur dhe duhet edhe mëtutje në mënyrë më të zëshme ta shfrytëzojmë këtë rast në planin politik, diplomatik që ta shpjegojmë tërë destruktivitetin e Beogradit zyrtar kur ka të bëjë me këta pjesëtarë serbë në FSK”, ka deklaruar ai.
Sipas Qehajës, Beogradi nuk do të lëshojë pe në këtë drejtim. Por, ka thënë ai, edhe po ta bënte këtë, Serbia do të kërkonte koncesione të ndryshme./Indeksonline/
Must Read