14,11,2024

Gjendet një person i vdekur në Korçë, dyshohet viktima e katërt prej të ftohtit

Must Read

Rreth orës 10.35 të ditës së sotme, në lagjen nr. 10 në Korçë, është gjetur i vdekur një person rreth 60 vjeç, identiteti i të cilit ende nuk dihet.

Lidhur me këtë ngjarje u ngrit grupi hetimor dhe po punohet për të zbardhur shkaqet e vdekjes dhe rrethanat e vdekjes.

Mësohet se viktima u gjet në ambientet e një zdrukthëtarie në periferi të qytetit, ku dyshohet se ishte strehuar kundër të ftohtit. Në trupin e tij nuk janë konstatuar shenja dhune, ndërsa paraprakisht flitet për vdekje për shkaqe natyrale.

Në rast se konfirmohet se vdekja e tij ka ardhur prej temperaturave të ulëta, shkon në katër numri i viktimave që i ftohti i acartë ka shkaktuar në pak ditë.

Tre viktimat e tjera

Mëngjesin e djeshëm, u gjet i vdekur roja e një pallati në Lushnje. Kanë qenë familjarët ata që kanë gjetur trupin e pajetë të 51- vjeçarit Bashkim Çepa në vendin e tij të punës.

Dyshohet se viktima kishte ngrirë prej të ftohtit, teksa qëndronte si roje, ndërsa mësohet se ai vuante edhe prej problemeve në zemër.

Për t’u bërë ballë temperaturave që shënonin disa gradë nën zero, ai ka ndezur në një ambient të mbyllur në katin e parë të pallatit një zjarr për t’u ngrohur. Por si pasojë e vështirësisë në frymëmarrje, shkaktuar jo vetëm nga acari por edhe nga tymi i zjarrit, ai ka pasur probleme me zemrën.

Për shkak se ai vuante prej vitesh nga problemet e zemrës, asfiksia e tymit ka qenë vdekjeprurëse.

Në orët e para të mëngjesit të së hënës, atë e ka kërkuar në telefon i biri dhe babai. Pasi nuk u është përgjigjur, ata i kanë shkuar në vendin ku bënte roje. Aty i biri e ka gjetur të atin gati pa ndjenja dhe thuajse të ngrirë.

Ndërkohë ditën e diel në Sarandë, po prej të ftohtit ndërroi jetë Leonard Beqiri 54 vjeç, i cili u gjet në një banesë të braktisur.

Mësohet se ai jetonte i vetëm si endacak dhe se nuk kishte familje, ndërkohë që vijojnë hetimet për zbardhjen e rrethanave të mëtejshme rreth kësaj ngjarje, për shkak se dyshohet që ai të ketë qenë i alkoolizuar. Policia konfirmoi se vdekja e tij ka ndodhur në orën 11:45 të së dkielës, në spitalin e Sarandës. 53-vjeçari banues në lagjen nr.1 Sarandë, ishte dërguar në spital nga patrulla e policisë ditën e shtunë.

Ndërkohë gjatë së shtunës u shënua viktima e parë në Durrës, prej të ftohtit. I ndjeri, Arben Sulo, 38 vjeç, banues në Durrës, u gjet i pajetë gjatë së shtunës në lagjen Nr.17 të qytetit bregdetar.

Nga këqyrja e kufomës mësohet nuk janë evidentuar shenja dhune. Pasi është identifikuar në listën e personave pa banesë, 38-vjeçari që njihej në zonë me emrin Beni, është kërkuar gjatë mbrëmjes së të shtunës nga specialistët e zonës dhe shërbimet e rendit për ta sistemuar në ambientet e Policisë, por nuk është mundur të gjendet i gjallë./noa.al

.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Erion Veliaj: Ferizaj dhe miku im, Agim Aliu i bashkohen “Paradës së Shqiptarëve” më 28 Nëntor në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”  

Bashkia e Ferizajt është e para që i është bashkuar “Paradës së Shqiptarëve” që do të mbahet në Tiranë...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img