Ferizaj– Në 31 vjetorin e vdekjes së ish-liderit komunist Enver Hoxha, Fronti Popullor për Kultivimin e Veprës Revolucionare të Enver Hoxhës, ka mbajtur një tubim përkujtimor me ç’rast përfaqësues të këtij formacioni kanë folur për figurën e Enver Hoxhës, duke thënë se ai mbetet personaliteti më i zgjuar, më vigjilent, më i guximshëm dhe më emblematik që ka njohur historia shqiptare. Kryetari i Frontit, profesori i filozofisë, Remzi Hasani, në vija të trasha ka rikujtuar se Enver Hoxha ishte personaliteti që e drejtoi Shqipërinë përkrah forcave liridashëse botërore gjatë Luftës së Dytë Botërore, por edhe vizionari dhe arkitekti i ndërtimit të shtetit të mirëfilltë shqiptar.
“Ishte ideologu dhe revolucionari i pathyer nëpër shtrëngatat për çlirimin e atdheut dhe mëkëmbjen e vegjëlisë. E në kohë paqe ishte komandant i përgjithshëm i Forcave të Armatosura. Enveri ishte gjithashtu sekretar i parë i KQ të Partisë së Punës së Shqipërisë. Enveri pa mëshirë i shpartalloi besëtytnitë dhe reliktet negative të së kaluarës,që e mbanin popullin të nëpërkëmbur dhe pa hezitim u bë arkitekt modern i Shqipërisë” , ka thënë Hasani.
Tutje ai ka përshkruar edhe ngritjen e shtetit duke i dhënë një dimension rolit të tijë në krijimin e Ushtrisë Popullore, zhvillimit të ekonomisë, arsimimit, shëndetësisë etj.
“Në epokën e tij, ai çrrënjosi analfabetizmin, pushteti popullor i mobilizoi të gjitha masat për ndërtimin e jetës së re, si duke ngritur fabrika, uzina, kantiere detare, plantacione e deri te ndërtimi i gjigantëve të fuqishëm elektrik dhe sistemi modern i mbrojtjes së atdheut”, ka shtuar Hasani, i cili ka sjellë në kujtesë edhe vlerësimet e liderëve botërore të asaj kohe që i kanë bërë figurës së Hoxhës me rastin e vdekjes.
Edhe sekretari i Frontit, Agim Xhigoli, në fjalën e tij ka thënë se Enver Hoxha, ishte dhe do të mbetet lideri, i cili asnjëherë nuk pushoi së realizuar idenë e bashkimit kombëtarë, ndërsa Erald Selca, ka vë theksin në atë se ishin enveristët ata që udhëhoqën tri luftërat çlirimtare dhe se asnjëherë gjatë historisë nuk ka ndodhë që të barazohen çlirimtarët me tradhtarët siç po tentohet të veprohet në këtë kohë.
Para të pranishmëve ka folur edhe Selver Bekteshi i ardhur nga Kumanova, ndërsa profesori Sahit Salihu, ka recituar një poemë kushtuar Enver Hoxhës.