Kështu deklaruan dje prindërit e Fatjon Barmetës, nga Klosi i Matit, i cili u vra mizorisht në nëntor të 2012-ës. Reagimi i Liman dhe Nexhmije Barmetës mori shkas nga vendimi i dhënë dje nga Gjykata e Apelit për tre autorët e krimit. Përparim Boja u dënua me 25 vite burg, vëllai i tij Astriti u dënua me 17 vite, ndërsa Fation Cani me 15 vite burg. Ngjarja ndodhi 4 vite më parë në afërsi të lumit Mat, ku trupi i të riut u gjet i groposur pas tri ditësh nga zhdukja e tij.
Fatjon Barmeta, në atë kohë vetëm 23 vjeç, punonte kamerier në një nga lokalet e qytetit, ku autorët e akuzuan për ngacmim të gruas së pronarit, akuza këto të cilat nuk u vërtetuan asnjëherë. Të mbytur nga lotët dhe me zemër të copëtuar, prindërit e Fatjonit, në një intervistë për “Gazeta Shqiptare” japin detaje të reja rreth vrasjes çnjerëzore që i ndodhi djalit të tyre.
Zoti Liman, Gjykata e Apelit dha sot (dje) vendimin për tre autorët e vrasjes së djalit tuaj, Fatjon Barmeta. Ata u dënuan me 25, 17 dhe autori kryesor me 15 vite burg. Cili është komenti juaj në lidhje me vendimin?
Ka më shumë se 4 vite që ne po na sorollatin nga njëra gjykatë në tjetrën. Gjithë këtë sorollatje e bën korrupsioni. Korrupsioni ka filluar që natën e parë të vrasjes së djalit tim. Unë kam njoftuar policinë që atë natë dhe për tri ditë nuk më erdhi në shtëpi asnjë polic. Arsyeja ishte sepse banda kriminale që mua më vrau djalin ishte e lidhur me ta. Përgjatë tri ditëve që policia nuk u interesua, u fshehën të gjitha provat, dhe pas tri ditësh na njoftuan “hajdeni se e kemi gjetur djalin të vdekur”. Nëse do të kishin vepruar atë ditë, djalin do e kisha sot të gjallë.
Mendoni se fshehjen e provave autorët e kanë bërë në bashkëpunim me policinë?
Pa diskutim që po! Sepse shefi i Rendit hante e pinte çdo natë deri në orën 2 e 3 të mëngjesit në lokalin e kriminelëve. Ishin shokë të ngushtë.
Prokurori i çështjes kërkoi dënimin me burg të përjetshëm…
Prokurori që hetoi ngjarjen ishte Abaz Muça. Fillimisht çështjen e kishte prokurori Sabri Kastrati, por dyshimi im ishte se ai ishte i korruptuar dhe i kam kërkuar kryeprokurorit Adriatik Llalla që ta hiqte atë. Mes gjithë kërcënimeve, prokurori Muça dha një pretencë me dy burgime të përjetshme dhe një dënim me 25 vite burg për kriminelët. Pretencë kjo të cilën Gjykata e Burrelit e la me 25 vjet për njërin nga autorët dhe 17 dhe 15 vite burg për dy të tjerët. Para se të fillonte seanca gjyqësore në Gjykatën e Burrelit, njëri nga gjyqtarët, që quhet Rexhep Karaj, ishte nga i njëjti fshat me kriminelët dhe ishte në lidhje miqësore me Fation Canin, i cili më groposi djalin me ekskavator. Pra, ai ishte në konflikt interesi. Në atë kohë i kërkova në rrugë zyrtare Gjykatës së Burrelit, njëkohësisht edhe Presidentit të Republikës, Bujar Nishanit e Ministrisë së Drejtësisë, që ky gjyqtar të mos jetë pjesë e trupit gjykues, kërkesë e cila nuk u plotësua. Kjo bëri që në vendimin e gjykatës, gjyqtari Rexhep Karaj të kërkojë pafajësi për mikun e tij Fation Cani. Kështu që sot (dje), doli një vendim qesharak, kur prokurori i çështjes kishte kërkuar me të drejtë dy burgime të përjetshme dhe një dënim me 25 vite burg.
Pasi gjyqtari Rexhep Karaj kërkoi pafajësinë, çfarë bëtë më tej?
Pas kësaj kërkese, prokurori i çështjes apeloi në Gjykatën e Apelit. Nga kjo gjykatë çështja shkoi në Gjykatën e Lartë, dhe kjo e riktheu sërish në Apel. Këtu është diçka shumë e çuditshme, sepse për të gjitha gjyqet që janë bërë në Tiranë unë nuk jam njoftuar asnjëherë. Ne kemi ardhur në gjykatë duke u interesuar vetë se kur do të zhvilloheshin seancat gjyqësore, madje ka shumë seanca të tjera ku unë nuk kam qenë i pranishëm. Në dy seancat e fundit në Apel kam dëgjuar rastësisht për datat se kur do të zhvilloheshin dhe kam ardhur. Ditën e sotme (dje), Gjykata e Apelit, e cila la në fuqi vendimin e gjykatës së Burrelit, ishte një vendim qesharak. Vendimi u dha sikur autorët të ishin hajdutë dhe jo tre kriminelë që në mënyrën makabre, çnjerëzore e të pashpirt e shkatërruan djalin tim në zgavrën e kraharorit dhe e groposën të gjallë me ekskavator duke i hedhur sipër disa metra kub zhavorr. Sipas ekspertizës, dhe pavarësisht se janë fshirë provat, djali im ka jetuar edhe nën zhavorr.
Ju prisni dhe shpresoni shumë që autorët e vrasjes së djalit tuaj të marrin atë që meritojnë. Nëse nuk ndodh diçka e tillë, çfarë do të bëni më tej?
Unë çështjen e djalit do ta ndjek deri në Strasburg. Nëse nuk japin drejtësi për djalin tim të vetëm, unë do të detyrohem, jo se kam dëshirë, por do t’i kthehem Kanunit. E përsëris se, do të detyrohem që t’i kthehem Kanunit që të vendos vetë drejtësinë mbi drejtësi. Unë kërkoj që drejtësia të vihet në vend për të mbyllur plagë e jo që ato të hapen më tej.
T’i rikthehemi ngjarjes në 2012-ën; çfarë ndodhi konkretisht?
Djali punonte në një lokal në qytetin e Klosit. Zakonisht ai vinte në orën 8 në shtëpi. Atë ditë e mora në telefon në 9 pa çerek dhe nuk m’u përgjigj. Dyshoja se mund t’i kishte ndodhur diçka e keqe sepse ai ishte larguar nga një lokal tjetër për disa pisllëqe që bëheshin në atë vend dhe dola ta kërkoja. Ditën që ndodhi ngjarja, në lokalin ku punonte djali im, kishin qenë Astrit Boja dhe Fatjon Cani. Djali u ka shkuar te tavolina dhe u ka thënë ‘çfarë do të merrni’, kurse ata i janë përgjigjur ‘ik more k… se nuk duam të marrim porosi prej teje’. Djali im këtë gjë ia kishte treguar vëllait tim. Këtë gjë ma ka treguar vëllai im pasi ndodhi ngjarja.
Nga ky fakt menduat se autorë të krimit të djalit tuaj ishin dy vëllezërit Boja dhe Fation Cani?
Ky ishte një përforcim i dyshimeve të mia, sepse unë isha i bindur për autorët e krimit.
Pasi autorët u arrestuan, keni pasur kërcënime nga familjarët e tyre?
Kërcënimin e kam pasur të hapur. Një gazetar i televizionit “Neës24” kishte marrë në intervistë Përparim Bojën, i cili u lirua nga prokurori Kastrati, dhe pas kësaj interviste ai u arrestua për së dyti. Intervista ishte kërcënuese. Ai ka thënë se, ‘përveçse i kam vrarë djalin, do t’i vras edhe një tjetër, sepse më ka gjakun borxh’. Ai pretendonte se djali im i kishte ngacmuar nusen me SMS, por kjo gjë nuk u provua asnjëherë nga hetimet. Por, dy muaj para se të vritej djali, në lokalin ku ai ka punuar më parë policia kishte shkuar për kontroll. Duke qenë se djali im kishte parë gjithçka ndodhte atje dhe për këtë gjë la edhe punën, ata me siguri kanë menduar se policia mund të ishte njoftuar nga djali im. /Gazeta Shqiptare/
.