Eurodeputeti gjerman dhe raportuesi për Shqipërinë në PE, Knut Fleckenstein, ka folur për 10 shtetet të cilat thuhet se nuk do të votojnë për liberalizimin e vizave për Kosovën.
Ai ka thënë se diskutimi mes Komisionit, Parlamentit dhe Këshillit ka filluar, derisa ka shtuar se ai është i bindur se qytetarët e Kosovës meritojnë që të lëvizin lirshëm.
“Nuk e kam llogaritur se sa vende janë kundër. Diskutimi midis Komisionit, Parlamentit dhe Këshillit ka filluar tani. Le të presim që të shohim se cili është rezultati. Unë jam shumë i bindur se qytetarët e Kosovë e meritojnë liberalizmin. Ata e meritojnë atë jo vetëm që nga sot, por edhe në të kaluarën. Ata kanë bërë atë që kemi kërkuar prej tyre dhe tash na takon neve që të jemi të besueshëm”, ka thënë Fleckenstein në një intervistë për “European Western Balkans”, shkruan televizioni publik.
“Sigurisht që nuk mund të garantoj për secilin shtet të Bashkimit Evropian, por nuk duhet që gjithmonë t’i shikojmë sondazhet dhe zgjedhjet, ne duhet ta vazhdojmë punën tonë”, shtoi ai.