Para pak çasteve lideri i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti ka njoftuar se kanë dështuar negociatat me partinë e Isa Mustafës për koalicionin për bashkëqeverisje.
Përmes një video, Kurti ka thënë se mbrëmë e ka bërë edhe një ofertë të fundit për LDK-në.
E, pas kësaj deklarate të Kurtit, nuk kanë të ndalur reagimet e zyrtarëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Është Gëzim Kokollari, zyrtar tjetër i LDK-së, i cili ka reaguar ashpër ndaj kreut të VV-së, duke thënë se ky i fundit po përdorë metodat e shkollës se vjetër të LPK-së.
Ai është i mendimit se Kurti në vazhdimësi tentoi që ta përdor LDK-në për të përfituar poena politike.
“Albin Kurti asnjëherë nuk e konsideroi LDK-në si partnere, por në vazhdimësi tentoi që ta përdor për të përfituar poena politike. Albini, siç duket po përdorë metodat e shkollës së vjetër të LPK-së nga cila shkollë dolën Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli”, shkruan mes tjerash ai.
Në fund, ai potencon se nga përfundimi i luftës nga partia e Kurtit, LDK-ja është atakuar në vazhdimësi në forma të ndryshme.
“Që nga pas lufta e deri më tani jemi atakuar në vazhdimësi në forma të ndryshme nga kjo mendësi e propagandës”, thotë në postimin e tij zyrtari i LDK-së, Gëzim Kokollari.