Këtë të premte në fshatin Bibaj ka filluar rregullimi i një rruge të re, investimi i parë që nga paslufta.
Për të parë na afër punimet ne rregullimin e kësaj rruge doli edhe kryetari i Ferizajt, Muharrem Svarqa, me bashkëpunëtorët e tij. Kryetari Svarqa këtë projekt e vlerësoi si tejet të rëndësishëm, sepse sipas tij ky është investimi i parë që po bëhet në këtë fshat që nga paslufta.
“Sot me gëzim te veçante kemi ardhur në inspektimin e punimeve infrastrukturore në fshatin Bibaj, një prej fshatrat, që nga të gjitha periudhat e pasluftës ka qenë i lënë pas dore, kjo shihet edhe nga rrugët e pakalueshme që janë krijuar këtu, dhe unë falënderoje Drejtorinë e Infrastrukturës e cila ka qenë e vëmendshme që të përfshihet në buxhetin e vitit 2016 edhe ky lokalitet i cili në një mënyrë është paralagje e qytetit”, ka thënë kryetari Svarqa.
Ai ka thënë se Komuna e Ferizajt, çdo ditë e më shumë po krijon infrastrukturë të mirë për banorët e qytetit por edhe të fshatrave të qytetit.
“Ne po shpejtojmë që të krijojmë infrastrukturë të mirë , para hapjes së ofertave për tenderin e ujësjellësit i cili do të realizohet në fshatin Bibaj dhe Fshatin e Vjetër në një gjatësi prej 33 kilometra me një shumë prej 1 milion e 800 mijë euro, i cili në fillim do të lidhet me ujësjellësin e qytetit, ndërsa më vonë lidhet më fabrikën e ujit, e cila pritet të ndërtohet në fshatin Talinovc i Muhaxherëve. Infrastruktura rrugore që ka filluar sot të realizohet nga kompani “Bageri”, kompani prestigjioze dhe serioze ka rregulluar infrastrukturë rrugore në Ferizaj dhe më gjerë shpresoj se do të kryhet në afat optimal dhe do të krijojë mundësi për të lirë të këtyre qytetarëve të cilët kanë dal në këtë numër dhe janë të gëzuar, rregullimit të kësaj rruge”, është shprehur Svarqa.
Ndërsa përfaqësuesi i fshatit Bibaj Faton Haxhisalihaj, ka falënderuar kryetarin e komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa për të gjitha këto investime që po bën në fshatin e tyre. Sipas tij kjo është hera e para që po bëhen investime të tilla në fshatin Bibaj.
“Unë falënderoje kryetarin për këto investime që po bëjnë për herë të parë në fshatin tonë, Po ashtu falënderoje edhe banorët e kësaj ane, që po lirojnë edhe pronat e tyre në mënyrë që kjo rrugë të asfaltohet me gjerësi prej gjashtë metrave me standarde evropiane”, ka thënë Haxhisalihaj.
U tha se fshatin Bibaj në të ardhmen e afërt do ta presin edhe investime të tjera, siç është edhe rregullimi i një çerdhe në këtë fshat. U bë e ditur se rregullimi i kësaj rruge në fshatin Bibaj do të kushtojë rreth 318 mijë euro, ndërkaq punimet do të kryhen brenda 90 ditëve.