Një delegacion i Komunës së Ferizajt, i përbërë nga drejtorja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Xhemile Murati Shabani, Udhëheqësi i Sektorit të Kulturës, Sabri Pajaziti dhe Udhëheqësi i Sektorit të Rinisë, Agon Zhinipotoku, po qëndron në vizitë zyrtare në Bashkinë e Pogradecit.
Arsye e kësaj vizitë është përveç shkëmbimit të dyanshëm të përvojave në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit, poashtu edhe hapja e shtigjeve të reja të bashkëpunimit mes dy qyteteve.
Drejtorja Xhemile Murati Shabani bashkë me vartësit e saj, u pritën në takim nga Kryetari i Bashkisë së Pogradecit, Ilir Xhakolin, nënkryetarja Entela Gusho, drejtorja e turizmit, kulturës dhe rinisë, Loridela Beqari si dhe drejtori i Qendrës Kulturore në këtë qytet, Eritan Kamolli.
Në këtë takim, drejtorja Xhemile Murati Shabani paraqiti një pasqyrë të gjithë veprimtarisë kulturore, rinore dhe sportive në Ferizaj ndër vite, që ka kthyer qytetin tonë në një referencë kulturore në gjeografinë kombëtare. Ajo shtoi se Komuna e Ferizajt, përkatësisht Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit është e gatshme për shkëmbime kulturore, shkëmbimin e kalendarit kulturor, rinor e sportiv që do të ishte fazë iniciale e një bashkëpunimi afatgjatë mes dy qyteteve, me projekte më të gjera në këtë pikëpamje. Ky raport bashkëpunimi pritet të konkretizohet me aktivitete të përbashkëta e shkëmbimin e tyre mes dy qyteteve në të ardhmen e afërt.