18,11,2024

Fëmija, Shkolla dhe Familja

Must Read

Edukimi i fëmijëve në shkollë dhe edukimi në familje janë një proces i pandarë. Udhëheqës dhe organizator i këtij procesi është kolektivi pedagogjik i shkollës. Në organizimin e punës me familjet e nxënësve, shkolla niset nga një unitet detyrash, realizimi i të cilave ndikon drejtpërdrejtë në zhvillimin harmonik e të gjithanshëm të personalitetit të fëmijës.

Ndihmesa e familjes në edukimin e fëmijëve dhe njëkohësisht rritja e përgjegjësisë së saj në edukimin e brezit që rritet, janë të mundur në sajë të një pune sistematike e të organizuar, në formimin e aftësive e shprehive pedagogjike të prindërve. Është shumë e rëndësishme që ende pa hyrë fëmijët në shkollë, e sidomos në vitin e parë të shkollës, që prindërit të bëhet bashkëpjesëtarë të procesit pedagogjik. Për këtë arsye institucionet shkollore e kanë të domosdoshme të instalojnë një bashkëpunim të ngushtë shkollë-familje. Si kusht i domosdoshëm për lindjen e këtij bashkëpunimi është kualifikimi i familjes. Shkolla e ka për detyrë të bashkëpunojë me prindërit për ngritjen e kulturës së tyre pedagogjike. Pavarësisht nga niveli arsimor e kulturor i prindërve, shkolla ka fushën e vet për lartësimin kulturor të tyre.

Familja është shkalla e parë shoqërore në jetën e njeriut. Ajo që në moshat e hershme drejton njohuritë, dëshirat e ndjenjat e fëmijëve. Nën drejtimin e prindërve, fëmija fiton përvojën e parë nga jeta, njohuritë elementare në veprimtaritë që e rrethojnë, njohuritë dhe shprehitë e jetës në shoqëri.

Përse familja është një faktor kaq i fuqishëm i ndikimit tek fëmija? Një nga arsyet e ndikimit të familjes tek fëmijët, është qëndrueshmëria e përshtypjeve të para të fëmijës nga jeta që e rrethon dhe mbi bazën e të cilave formohet karakteri i fëmijës.

Forca e ndikimit të prindërve qëndron në besimin në ta, të fëmijës, në bindjet e tij që njerëzit më të afërt e të dashur kanë të drejtë, dhe që zgjidhjet e tyre janë të sakta. Fëmijët dëshirojnë t’u ngjajnë prindërve dhe në mënyrë instiktive i imitojnë ata. Pavarësisht nga paaftësia e plotë dhe dobësia e forcave, fëmija 4-5 vjeçar bashkë me nënën mundohet të marrë pjesë në punët e shtëpisë. Fëmijët i imitojnë prindërit në të gjitha veprimet dhe lëvizjet, fjalët e tyre. Parashikimet e para për idealet dhe perfeksionimin krijohen nën shembullin e prindërve.

Rezultati i edukatës, varet shumë nga mënyra se si do të drejtohet ndikimi i familjes. Në mënyrë që familja të kurorëzohet me sukses në edukimin e fëmijës, është e domosdoshme që prindërit të dinë kërkesat bazë pedagogjike dhe të krijojnë kushtet e domosdoshme për edukimin e fëmijëve në familje.

Cilat janë këto kërkesa? Para së gjithash është ajo atmosferë familjare, ku secili nga prindërit dhe anëtarët e familjes merr përgjegjësinë e vet në edukimin e fëmijëve. Nga mënyra se si edukohet fëmija në familje, do të varet, nëse ai do të rritet i ndershëm dhe i drejtë, me shpirt të gjerë apo egoist, i mbyllur në rrethin e interesave të ngushta personale.

Dashuria e prindërve, presupozon pjesëmarrjen e fëmijës në jetën e familjes. Që herët fëmija duhet të kuptojë që ai është një anëtar i familjes, si dhe të tjerët dhe ai duhet të interesohet për të tjerët, ashtu si dhe të tjerët interesohen për të. Dhe prindërit dhe fëmijët duhet të kenë në familje pjesën e vet të punës dhe pjesën e vet të pushimit. Në këtë mënyrë nuk është normale, kur prindërit për kënaqësitë e tyre, harrojnë për fëmijët, po ashtu siç nuk është normale, kur në familje vetëm fëmijët pushojnë, zbaviten, ndërsa në pjesën e prindërve përfshihet vetëm puna.

Një kusht i rëndësishëm në edukimin e suksesshëm në familje është autoriteti i prindërve. Autoriteti i prindërve është ndikimi i babait dhe nënës ndaj fëmijëve, që bazohet në respektin dhe dashurinë ndaj tyre, besimin në përvojën e tyre jetësore, në fjalët dhe këshillat.

Fëmija ndjen mbi veten, ndikimin e të gjithë anëtarëve të familjes, madje edhe në ato raste kur dikush sikur shmanget nga veprimi i drejtpërdrejtë edukativ ndaj tij. Kështu, babai, i cili p.sh. nuk merr pjesë drejtpërdrejt në problemet ekonomike të familjes, duke i quajtur ato “punë grash”, krijon tek fëmija një raport negativ për punën, mungesën e respektit ndaj gruas, ndaj ekonomisë së familjes.

Respektimi i individualitetit të fëmijës, të kuptuarit e interesave të tij, synimi për të parë në të njeriun, janë kushte të domosdoshme për rritjen e autoritetit.

Mjaft prindër, si shkak të mungesës së vëmendjes ndaj fëmijëve paraqesin mungesën e kohës, për t’u marrë periodikisht me fëmijën. Por interesi i gjallë, vëmendja ndaj mësimeve të fëmijëve, ndaj “vogëlsirave” të jetës së fëmijëve, janë komponentë të domosdoshëm të autoritetit prindëror në familje. Mungesa e vëmendjes ndaj fëmijëve, nuk duhet të justifikohet me zënien në punë.

Fusha pjellore që shtrihet për një të nesërme më të mirë, kështu më duket mua, është në një revolucion personal. Shkollo njëherë vetveten para se të shkollosh shoqërinë, bëje veten një qytetar që nuk e njeh frikën. Nxirr anën më të mirë që ke. Dhe bëj të njëjtën gjë për fëmijët e tu dhe të afërmit. Të zgjerosh fëmijërinë e fëmijëve të tu është një mallkim për të ardhmen e fëmijës, ndërkohë që mund t’i japësh një bekim në menaxhim, sigurisht. Mos e lejoni vajzën apo djalin tuaj të përcaktojë veten e tyre nga ato çfarë konsumojnë: çmimi i një zakoni të tillë jetësor është shumë i ulët që të jetë i vlefshëm sa kostoja. Dhe kur ju pastaj ta gjeni veten të frikësuar dhe të neveritshëm nga sjelljet e papjekura dhe të papërgjegjshme që shikoni rreth jush, mendoni për shkollën si përparimin e tyre dhe bëni diçka për të.

Bibliografia:

Maalouf, Amin, “Identitete vrastare”, Onufri, Tiranë 2001.

Milo, Paskal, “E drejta kushtetuese dhe mbrojtja e të drejtave të fëmijëve”, “Drita”, Tiranë 1999, fq. 126.

Shkruan: Arta Tahiri

Autorja e shkrimit ka mbaruar studimet në Fakultetin e Shkencave Sociale – dega Shkenca Politike, në Tiranë.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Aksident në Ferizaj, përfshihen tri vetura – lëndohen 5 persona

Pesë persona janë lënduar si pasojë e një aksidenti në mes tri veturave ne Ferizaj. Aksidenti ndodhi në rrugën...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img