Agjencia e Statistikave publikoi një raport të vlerësimit të saj nga “Eurostati”, Zyra e Statistikave të Bashkimit Evropian.
Sipas publikimit të ASK-së, edhe pse nuk është bërë regjistrimi i popullsisë dhe ekonomive familjare në veri, “Eurostati” i ka kërkuar Agjencisë së Statistikave të Kosovës përqendrimin te regjistrimi i radhës.
“Eurostati” sipas ASK-së ka vlerësuar përgatitjet për regjistrimin në veri, por pasi nuk është miratuar ligji për këtë regjistrim, ka rekomanduar nisjen e përgatitjeve për regjistrimin e vitit 2020.
“Për shkak të mospërparimit në miratimin e ligjit për këtë regjistrim dhe kohës së shkurtër nga regjistrimi tjetër i përgjithshëm 2020, ‘Eurostati’ rekomandon që ASK-ja tashmë të përqendrohet në përgatitjen e regjistrimit të ardhshëm të popullsisë më 2020,” thuhet në publikimin e Agjencisë së Statistikave.
“Eurostati” më tutje i kërkon ASK-së që të nisë diskutimet për metodën që do të përdor në regjistrimin e 2020-ës, pasi legjislacioni duhet t’i përshtatet metodologjisë.
“Parapërgatitjet për Regjistrimin e Popullsisë 2020 – Eurostati konsideron se diskutimet mbi metodologjinë e regjistrimit duhet të fillojnë sa më shpejt që të jetë e mundur, për shkak se vendimi për metodologjinë do ta ndikojë llojin e legjislacionit të kërkuar, si dhe planifikimin e mbështetjes së kërkuar teknike,” vijon publikimi i ASK-së.
Sipas këtij publikimi, “Eurostati” i rekomandon ASK-së edhe ku duhet të përqendrohen diskutimet për metodat që duhet përdorur gjatë regjistrimit.
“Këto diskutime duhet ta marrin parasysh fizibilitetin teknik dhe operacional, si dhe kërkesat e burimeve për mbledhjen tradicionale të të dhënave, duke përdorur të dhënat administrative, regjistrimin nëpërmjet sondazheve të internetit, ose një kombinim i këtyre opsioneve,” vazhdon më tej njoftimi i ASK-së.
“Eurostati” më tutje rekomandon që Agjencia e Statistikave të Kosovës të forcojë sektorin e statistikave për zhvillimet e gjithëmbarshme ekonomike të vendit.
“Statistikat Makroekonomike – Eurostati ka adresuar disa herë te institucionet kosovare rëndësinë e forcimit të këtij sektori, si në aspektin e burimeve njerëzore, ashtu edhe atë të prodhimeve statistikore. Pasi që statistikat dhe treguesit bazë për llogaritë kombëtare, për statistikat financiare të qeverisë, si dhe raportimi i borxhit dhe deficitit janë duke u bërë gjithnjë e më të rëndësishëm në progresin e anëtarësimit, atëherë ASK-ja duhet t’i vazhdojë përpjekjet e saj për t’i përafruar këto të dhëna me Rregulloren ESA2010,” njofton ASK-ja.
Sipas ASK-së “Eurostati” është i interesuar edhe për garantimin e pavarësisë institucionale të Agjencisë së Statistikave.
Forcimi i kuadrit ligjorë përfshirë garantimin e pavarsinë institucionale të ASK-së, janë disa qështje që konsideron Euro Stat ku flitet për ligjin mbi statistikat zyrtare
“’Eurostati’ e konsideron forcimin e kuadrit ligjor, përfshirë garantimin e pavarësisë profesionale të ASK-së, sigurimin e një mandati të caktuar (më afatgjatë) për Kryeshefin Ekzekutiv të ASK-së, duke rritur rolin koordinues të ASK-së në Sistemin Statistikor Kombëtar dhe rëndësinë e qasjes më të lehtë të ASK-së në të dhënat administrative. Kjo do ta përmirësojë bazën për zhvillimin e mëtejshëm të Sistemit Statistikor në Kosovë,” thuhet në publikimin e ASK-së.
“Eurostati” kërkon nga ASK-ja që të shtojë burimet njerëzore dhe të ngre cilësinë e shkollimit të tyre.
Euro stat jep vlerësim edhe për burimët njerëzore që posedon ASK
“Situatën e burimeve njerëzore në ASK – derisa kjo gjendje e ASK-së mbetet gjerësisht e pandryshuar në vitet e fundit në aspektin e mungesave të stafit të mjaftueshëm, ‘Eurostati’ vlerëson se kjo gjë duhet të adresohet në përgatitjen e programit të ardhshëm 5-vjeçar për statistikat zyrtare. Në këtë aspekt, do të ishte e dobishme qasja e situatës së burimeve njerëzore nga pikëpamja strategjike dhe të adresohen nevojat afatgjata për rritjen e numrit të personelit dhe për rritjen e kualifikimeve të tyre,” thuhet në publikim.