Të martën në mbrëmje ai do të jetë personazhi kryesor i emisionit “Histori”, që përbëhet nga një katërshe gazetarësh të njohur të shtypit grek, raporton Respublica. Intervista me kryeministrin shqiptar ka disa ditë që lajmërohet në televizioni “Skai”, ku Rama do të flasë për çështjet që shqetësojnë marrëdhëniet shqiptaro-greke.
Deklaratat e kryeministrit shqiptar muajt e fundit kanë zënë faqet e para të shtypit grek që nuk kanë hezituar ta cilësojnë kryeministrin e Shqipërisë si një politikan nacionalist që po mban një kurs tensioni dhe përplasje me Greqinë.
Ndaj, të martën në mbrëmje ai pritet t’i përgjigjet interesimit të gazetarëve grekë për disa nga çështjet që preokupojnë të dy vendet, duke nisur nga marrëveshja e detit, tek çështja çame e deri tek arrestimi i dy nëpunësve të ministrisë së Jashtme shqiptare që transportonin tekste shkollore, të cilat Gjykata e Janinës i çmoi si materiale propagandistike.
Duhet thënë se paneli i gazetarëve në këtë emision kanë njohje shumë të mirë të marrëdhënieve shqiptaro-greke.
Drejtuesi i emisionit, Aleksis Papagelas, ka qenë për shumë vite korrespondent i televizionit Mega në Washington; Pavlos Cimas, po ashtu gazetar – me origjinë arvanite – ka njohje të thellë mbi çështjet shqiptaro-greke; si dhe gazetari Tasos Teloglou, i cili ka ndjekur në veçanti çështjen çame, duke qenë i pranishëm me intervista edhe në mediat shqiptare. Qasja e tij ka qenë kundër linjës zyrtare dhe për këtë jo vetëm ai po edhe dy gazetarët e tjerë janë etiketuar si pro-amerikanë.
.