Diskutohen hapat për parandalimin e sëmundjes “Gjuha e Kaltër” tek kafshët, drejtori i Bujqësisë, Burim Bajrami thotë se Ferizaj është gati për masat mbrojtëse
I pari i Bujqësisë dhe Pylltarisë në Ferizaj, Burim Bajrami takoi sot, drejtorin e shëndetit dhe mirëqenies së kafshëve pranë Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës, z.Sadik Heta.
Temë bosht e diskutimit në këtë takim ishte sëmundja e “gjuhës së kaltër” tek kafshët, dëmet që shkakton ajo si dhe veprimet e koordinuara që do të ndërmerren nga niveli qendror dhe lokal për të minimizuar dëmet nga kjo sëmundje. Kjo temë vihet tani në diskutim pas njoftimit të lëshuar nga AUV, ku njoftohet paraqitja e rasteve të tilla në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe disa rastave të dyshimta në brezin kufitar të Kosovës me shtetin fqinj, çka ka shtyer AUV drejt vendimit për ndalimin e qarkullimit të kafshëve në disa komuna, përfshirë edhe Ferizajn.
Drejtori Bajrami u zotua se Drejtoria që udhëheq menjëherë do të nxjerr ekipet në terren fillimisht për të sensibiluzuar fermerët për rrezikun si dhe njëkohshëm të bëjë dezinsektimin e deleve dhe stallave brenda territorit tonë. Drejtori Bajrami gjithashtu përveç apelit për fermerët shtoi se Drejtoria e Bujqësisë dhe Pylltarisë në Ferizaj, do të bashkëpunoj ngushtë me AUV në kuadër të masave për parandalimin e përhapjes së kësaj sëmundje.