Ai nuk ka shkuar me kohë tek autobusi dhe ekipi Bardhezi është nisur për në Gjilan pa të, shkruan sot gazeta Zëri.
“Unë nuk shkova me kohë tek autobusi, nuk e kam kuptuar gjuhën, nuk jemi marrë vesh si duhet. Kam shkuar me disa minuta vonesë dhe autobusi kishte shkuar”, tregon për “Zërin” futbollisti nigerian, i cili ka mbetur i zhgënjyer që e ka humbur këtë ndeshje, për të cilën ishte përgatitur maksimalisht.
“Unë isha në listën e ekipit të parë, por fatkeqësisht mbeta pa shkuar në Gjilan. Askush nuk më ka thirrur në telefon. Nuk e di arsyen”, vazhdoi ai.
24-vjeçari kishte zbarkuar në Prizren në fund të vitit të kaluar dhe kishte luajtur disa ndeshje të vjeshtës, që nga xhiroja e 10-të e Superligës, ndërsa tash po vazhdon t’i mbrojë ngjyrat bardhezi, ku synon të qëndrojë gjatë.
Ai shprehet i kënaqur me gjithçka në Kosovë, duke përfshirë këtu njerëzit mikpritës dhe ushqimin.
Nigeriani synon të shënojë sa më shumë gola deri në fund të sezonit, në mënyrë që ta ndihmojë ekipin e tij drejt arritjes së objektivave.
“Po, golat kanë domethënie të madhe për mua. Natyrisht, shpresoj dhe besoj se do të vazhdoj të shënoj edhe më shumë gola për Lirinë, sepse kjo është puna ime. Deri tash kam shënuar dy gola, por premtoj se deri në fund të sezonit atyre do t’ua shtoj edhe 10 apo më shumë të tjerë”, premton ai, duke e pranuar se në të ardhmen synon të luajë jashtë vendit, në një ekip më të madh evropian, nëse i jepet mundësia.
Kajdomçaj: Henry u vonua, ne u nisëm
Sekretari i klubit, Bashkim Kajdomçaj, thotë se futbollisti nigerian është vonuar dhe ekipi nuk ka mundur të priste pasi duhej të ishte në Gjilan minimumi një orë para se të fillonte loja.
“Ne jemi nisur në orën 09:40 drejt Gjilanit, ndërsa Henry ka shkuar tek vendi ku niset autobusi në orën 10:20. Ne veç ishim nisur më herët. Nuk e ka kuptuar mirë orën e takimit, edhe pse atij i është sqaruar kjo në gjuhën angleze”, theksoi Kajdomçaj, i cili konfirmon se prizrenasit llogarisin në shërbimet e Henryt, së paku deri në fund të sezonit.
Ai ka kontratë trevjeçare me Lirinë dhe klubi kosovar do t’i marrë 30 për qind të parave, në rast se transferohet në ndonjë klub evropian.
Henry është shquar me fuqinë e tij gjatë ndeshjeve që i ka zhvilluar, ndërsa prizrenasit shpresojnë që ai të jetë sa më efektiv përpara portës në ndeshjet e ardhshme.