03,05,2024

Alarmante: QKUK mbushet me pacientë të sëmurë nga ndotja e ajrit

Must Read

Kosovarët tash e disa javë po ballafaqohen me ndotje ekstreme të ajrit, duke tejkaluar kështu 300 herë mesataren e ndotjes së lejuar. Kjo ndotje po shkakton dëme të mëdha në shëndetin e kosovarëve, por edhe telashe të shumta tek institucionet përkatëse shëndetësore. Numri i atyre që po kërkojnë ndihmë mjekësore gjatë ditëve të fundit si pasojë e ndotjes është mjaft i madh. Madje, Klinika e Pulmologjisë nuk ka kapacitete të mjaftueshme, përfshirë edhe shtretërit në klinikë, për t’i pranuar të gjithë pacientët. Situata momentale po cilësohet si alarmante nga ana e mjekëve kosovarë, kjo ngase numri i pacientëve është dyfishuar ditëve të fundit

Nëse ju zihet fryma, keni temperaturë, kollitje e këlbaz, ju menjëherë duhet të vizitoheni te mjeku. Këto simptoma i kanë shumë kosovarë ditëve të fundit si pasojë e ndotjes ekstreme të ajrit.

Feride Krasniqi gjatë ditës së sotme kishte shkuar në Klinikën e Pulmologjisë. Ajo gjatë një bisede për Gazetën Express tregon se vuan nga sëmundja e diabetit, porse kohën e fundit i janë paraqitur disa probleme me frymëmarrjen. Feridja është e bindur se këto probleme po i vijnë nga ajri i ndotur.

“Këto ditë nuk po ndihem mirë. Sot shkova te doktori im dhe u vizitova, por ai më sugjeroi që të vij këtu. E kam sëmundjen e sheqerit, por së fundmi po më zihet frymëmarrja. Mjekët thonë se e kam nga ajri i ndotur. Më sugjeruan që të mos dal jashtë, përveç në raste urgjente, në këto ditë”, thotë 46-vjeçarja nga Prishtina.

Numri i pacientëve që po kërkojnë ndihmë mjekësore gjatë ditëve të fundit në Klinikën e Pulmologjisë nga ana e zyrtarëve të kësaj klinike po konsiderohet si shumë i madh. Sipas tyre, janë dyfishuar rastet e të sëmurëve me simptomat e ndotjes së ajrit në vend.
Gazeta Express për këtë çështje ka biseduar me dr. Rukie Mehmetin, pulmologe në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Ajo thotë se klinika e Pulmologjisë nuk ka kapacitete të mjaftueshme për t’i pranuar të gjithë pacientët që këto ditë po kërkojnë shërbime mjekësore si pasojë e ndotjes së ajrit.

“Mund të them se numri i të sëmurëve në Klinikë, jo vetëm i vizitave ambulatore, por edhe i të shtrirëve, është dyfishuar. Është dyfishuar kërkesa edhe për kontrolle edhe për shtrirje për trajtim. Është një fatkeqësi që tash për tash nuk kemi aq mundësi për ofrim të shërbimeve mjekësore, s’kemi aq shtretër sa t’i hospitalizojmë të gjithë këta të sëmurë”, thotë Mehmeti.

Doktoresha tregon po ashtu se pacientët më të rrezikuar janë ata me sëmundje kronike të mushkërive.

“Pacientët po vijnë sidomos për sëmundjet kronike të mushkërive, astma, bronkiti, që vijnë për çdo ditë me një gjendje më të rëndë”.

Pulmologia Mehmeti, po ashtu bën të ditur se edhe fëmijët janë të prekur nga ajri i ndotur. Madje numri është rritur këto ditë.

“Edhe fëmijët janë të prekur, se edhe numri i fëmijëve është i rritur të cilët janë të prekur nga ndotja e ambientit. E, çka është më e keqja, tash i kemi edhe virozat e gripit, gjë që edhe më tepër e ka përkeqësuar gjendjen. Të gjitha këto janë raste që kërkojnë hospitalizim, trajtime më të mëdha”, shpjegon doktoresha e Pulmologjisë.

Klinika e Pulmologjisë për momentin i ka vetëm 68 shtretër, numër ky që është i pamjaftueshëm për t’i akomoduar të gjithë pacientët në nevojë.

“Kushtet, mungesa e terapisë, mungesa e shtretërve. Numri i të gjithë shtretërve është 68. Por, në këtë periudhë kur e kemi gripin sezonal dhe ajrin e ndotur, nevoja për shtretër është jashtëzakonisht e madhe”, thotë Mehmeti.

Sipas pulmologes, më të rrezikuarit nga ndotja e ajrit në Prishtinë janë personat e moshuar, te sëmurët kronikë, si dhe personat që marrin terapi për kancer.

Në Klinikën e Pulmologjisë në QKUK gjatë vitit të kaluar janë diagnostikuar rreth 300 pacientë të rinj më sëmundje kronike obstruktive. E gjithë kjo, sipas mjekëve të kësaj klinike, ka ardhur si pasojë e industrisë së rëndë që aplikohet në Kosovë.

Ndotja e ajrit e ka shtuar numrin e pacientëve edhe në Klinikën Infektive të QKUK’së. Aty, sipas drejtorit Hamdi Ramadani, numri i personave që janë me grip sezonal është në rritje.

Ramadani deklaroi të hënën për Express se ndotja e ajrit e ka rënduar edhe situatën sa i përket gripit.

Pas ndotjes enorme të ajrit në kryeqytet dhe gjetiu, gjatë ditës së sotme edhe Instituti i Shëndetit Publik ka propozuar që inspektoratet e mjedisit të bëjnë kontrollin rigoroz të filtrave të ajrit në termocentrale gjatë 24 orëve, si dhe të cilësisë së karburanteve dhe konsumimit të lëndëve të ngurta djegëse që përdoren për ngrohje nga qytetarët.

Instituti po ashtu ka bërë apel te qytetarët që të reduktojnë daljet në qytet dhe në vendet me ajër të ndotur, sidomos në mëngjes dhe në mbrëmje dhe sidomos nga personat që kanë sëmundje kronike të sistemit kardiovaskular dhe respirator, fëmijët dhe shtatzënat.

Nga matja e fundit që është bërë nga  Qendra për matjen e cilësisë së ajrit e vendosur nga Ambasada Amerikane në Prishtinë, në orën 14:00, vlera e ndotjes ka arritur në 185, që konsiderohet shumë e pashëndetshme./Gazeta Express/

 

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Policia rajonale e Ferizajt konfiskon motoçikleta dhe skuter pa dokumentacion të rregullt

Policët e Komunikacionit Rrugor dhe polcicët e stacionit të Ferizajt sot kanë zbatuar planin operativ " Motoçikleta dhe Trotineti...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img