Investimeve të shumta në infrastrukturën rrugore që nisën apo përfunduan sivjet, iu bë bilanci vjetor sot në konferencën e fundvitit për media të të parit të Infrastrukturës, Arbër Bytyqi. Ky i fundit tha se viti 2020 për infrastrukturën e Ferizajt ishte një vit i suksesshëm duke sjellë investime të shumta për qytetarët anekënd territorit tonë.
Duke përmendur disa nga projektet më madhore, drejtori Bytyqi tha se janë projektet si ai i përfundimit të nënkalimit për vetura dhe këmbësorë në Nikadin-Varosh, nënkalimi në prag të përfundimit tek Plus Marketi, projekti për rregullimin e varrezave të reja të qytetit, nisja e punimeve për ndërtimin e Stacionit të ri të Autobusëve, faza e avancuar me punimet në projektin unik “Parku Memorial i UÇK-së në Jezerc, rikonstruktimi i rrjetit të ndriçimit publik duke rritur efiçiencën e energjisë, kanalizimi në fshatin Tërrn dhe në disa pjesë tjera të qytetit e fshatrave, finalizimin e asfaltimit në mbi 90% të rrugëve në zonën e qytetit kjo në kuadër të programit të qeverisjes lokale për përfundimin e infrastrukturës në gjithë zonën e qytetit, si dhe asfaltimi i rrugëve në fshatrat Greme, Komogllavë, Dremjak, Koshare, Rakaj, Surqinë, Cërnillë, Bablak, Tërrn, Lloshkobare e në fshatra tjera ku vitin e ardhshëm synohet të përfundohet pjesa më e madhe e rrugëve të mbetura, janë vetëm disa nga sukseset që shënuan këtë vit në këtë drejtori.
Drejtori Bytyqi njoftoi gjithashtu se vetëm këtë vit, u asfaltuan mbi 250,000 metër katror rrugë, rreth 23,000 metra katror rrugë e trotuare me kubëza dhe mbi 3 km kanalizim fekal e atmosferik.