Javën tjetër pritet të nisë pjesa e dytë e projektit “Bashkimi i Qytetit”. Kjo pas një takimi që kanë zhvilluar sot zyrtarët komunal me drejtuesit e hekurudhave të Kosovës. Drejtori i Infrastrukturës, Arbër Bytyqi ka thënë se është arritur pajtueshmëri që ky projekt të vazhdojë sipas dinamikës së paraparë duke mos e penguar njëri tjetrin. Madje ka shtuar se përveç në pjesën e udhëkryqit që lidhe rrugën “Vëllezërit Gërvalla” me rrugën “Ahmet Kaçiku” do të punohet edhe në projektet e nënkalimeve hekurudhore.
“ Në kuadër të këtij takimi ne biseduam për bashkërendimin e të gjitha punimeve në mënyrë që asnjëra palë të mos e pengojmë implementimin e projekteve të tyre por edhe të gjithë hapat që i kemi paraparë ne në kuadër të projektit “Bashkimi i Qytetit” ti inkorporojmë bashkarishtë në mënyrë që të ketë lehtësira edhe për kompaninë implementuese të projektit të hekurudhave si dhe për kompaninë tonë për implementimin e projektit “Bashkimi i Qytetit”, pra të mos ketë ngecje dhe mosmarrëveshje mes këtyre dy projekteve. Sot u dakorduam që Infrakos sot dhe nesër gjatë ditës të bëjë kthimin në gjendjen e mëparshme të binarit të tretë që është demoluar më herët për shkak të punimeve të pjesës së parë të projektit. Gjatë javës së ardhshme pritet që kompania implementuese e Hekurudhave të bëjë edhe demolimin e dy binarëve tjerë dhe ne mund të fillojmë me gërmime dhe të fillojmë me realizimin e fazës së dytë të projektit. Jemi në bashkëpunim të vazhdueshëm me hekurudhat dhe së shpejti do të kontaktojmë edhe kompanitë që do të merren me rregullimin e nënkalimeve tjera, në Varosh dhe nënkalimit afër “Plus Market”. Besoj që më Hekurudhat do të arrijmë marrëveshje që përkohësisht të ndërpritet qarkullimi i trenave për një kohë të caktuar dhe të kemi mundësi të fillojmë edhe implementimin e këtyre dy projekteve në këtë pjesë të hekurudhës” ka thënë Arbër Bytyqi.
Vazhdimi i fazës së dytë të projektit parasheh ndërprerjen e komunikacionit në këtë pjesë, e komuna po adapton një rrugë dytësorë e cila do të kalojë nëpër oborrin e shkollës “Gjon Serreçi”
“Në kuadër të projektit kemi qenë të vetëdijshëm që do të ketë ndërprerje të domosdoshme të komunikacionit, për shkak të realizimit të projektit “Bashkimi I Qytetit” pra do të ketë ndërprerje të qarkullimit të veturave dhe autobusëve. Për këtë e kemi paraparë realizimin e një rruge alternative që do të kalojë nëpër oborrin e shkollës “Gjon Serreçi”. Tashmë kanë filluar përgatitjet për këtë rrugë alternative, ku nga rruga “Ahmet Kaçiku” do të kalohet në rrugën “Vëllezërit Gërvalla”. Normalisht që do të ketë vështirësi në komunikacion gjatë kësaj kohe por e kemi thënë që është projekt I rëndësishëm dhe besojë që do të hasim në mirëkuptim te qytetarët” ka thënë Bytyqi.
Bëhet e ditur se do të punohet edhe te nënkalimi i këmbësorëve afër Xhamisë së Madhe. Drejtori Bytyqi ka thënë se ekzekutimi i punimeve do të realizohet paralelisht dhe pritet që të përfundojë deri kah fundi i vitit.
Projekti “Bashkimi i Qytetit” është njëri ndër projektet më të mëdha që po zhvillohet në komunën e Ferizajt. Me këtë synohet që të lidhen dy pjesët e qytetit pa i penguar hekurudha përmes nënkalimit pjesa më e madhe e të cilit tashmë ka përfunduar, transmeton Televizioni Liria.