06,12,2024

Bojiq: Policët serbë nga strukturat paralele janë integruar!

Must Read

Deutsche Welle: Zoti Bojiq, mund të na thuani për fillim: si paraqitet gjendja e sigurisë në veri të Kosovës, pasi që ju drejtoni Policinë e Kosovës jo vetëm në veri të Mitrovicës por në tërë rajonin?

Zheljko Bojiq: Situata e sigurisë në veri, pra në zonën e përgjegjësisë së policisë në veri, është në nivelin e kënaqshëm. Natyrisht që nuk është në nivelin më të lartë, por as në vendet më të zhvilluara siguria nuk është gjithmonë në nivelin më të lartë. Ne si udhëheqës dhe pjesëtarë të policisë po përpiqemi që siguria të jetë në nivelin më të lartë të mundshëm, në çdo moment.

Probleme me krimet dhe kriminelët e rëndomtë me siguri që ka në të gjitha anët, por në veri ju keni pasur prej luftës deri më sot shumë shpesh edhe probleme ndëretnike dhe politike. A keni probleme të këtilla edhe tani?

Situata tani është shumë më e mirë se dikur. Ne kemi zyrtarët tanë policorë, të cilët merren me evitimin e konflikteve të këtilla ndëretnike, në veçanti në hapësirat multietnike. Dhe mund të them se situata aktualisht është në nivelin e duhur.

A keni pasur kohët e fundit ndonjë incident me karakter ndëretnik apo politik?

Ajo që na gëzon shumë, është pikërisht fakti që kohët e fundit nuk kemi pasur asnjë konflikt apo vepër penale me karakter ndëretnik apo politik. Për dallim prej kohërave të kaluara, kur kemi pasur raste të shumta të këtilla madje edhe viktima, në periudhën e fundit nuk kemi regjistruar asnjë problem të natyrës së këtillë.

Zoti Bojiq, në veri ka pasur shpesh sulme edhe ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës. E ndjeni veten ju të sigurt në këtë uniformë?

Absolutisht. Unë e ndjej veten shumë të sigurt dhe kurrë nuk e kam hequr uniformën kur kam dalë në qytet apo në rrugë gjatë orarit të punës.

Në njësitë tuaja policore ka edhe shqiptarë. Zëvendësi juaj është shqiptari Besim Hoti. A keni probleme apo fërkime mes vetë policëve në veri dhe cili është bashkëpunimi juaj me policinë në jug të Mitrovicës?

Duke marrë parasyshë që detyrat tona shpesh ndërlidhen edhe me gjendjen e sigurisë në jug të Mitrovicës, mund të them se kemi bashkëpunim shumë të mirë dhe kontakte ditore me policinë në jug. Sa i përket gjendjes këtu në veri, ne nuk kemi kurrfarë problemesh me policët shqiptarë.

Pas marrëveshjes në Bruksel, në Policinë e Kosovës janë integruar edhe përfaqësuesit e MUP-it të Serbisë dhe strukturat paralele. A ka përfunduar ky proces dhe si ka kaluar ai?

Procesi ka përfunduar dhe personat që kanë qenë të parashikuar të integrohen janë integruar pa kurfarë problemi.

A keni probleme me policët e integruar?

Ne nuk kemi me ta absolutisht kurrfarë problemi…

…ata janë mësuar t’u nënshtrohen urdhërave nga Serbia dhe strukturave të tjera këtu në veri.

Të gjitha pjesëtarët e Policisë së Kosovës në veri punojnë në përputhje me ligjet dhe rregullat e policisë.

Cilat janë problemet më të mëdha, me të cilat po përballeni ju këtu në veri?

Problemi më i madh, me të cilin po përballet policia në veri të Kosovës është trafiku, sepse janë shtuar lëvizjet, ndërsa hapësira është e vogël. Nuk kemi vendparkime të mjaftueshme dhe ky është aktualisht problemi më i madh me të cilin po përballemi.

Këtu në veri kam parë shumë makina pa targa, me targa të Serbisë dhe të Kosovës. Si do të zgjidhet ky problem?

Ky është një problem që duhet të zgjidhet në kuadër të dialogut në Bruksel dhe unë nuk dua të deklarohem për këtë çështje. Ne po përpiqemi që gjendja e sigurisë të jetë në nivelin e duhur dhe aktualisht kjo gjendje është e mirë.

.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Aksident komunikacioni rrugor me fatalitet në Kaçanik

Me datën 29.11.2024 rreth orës 07:30 kemi pranuar një informatë se në rrugën magjistrale Hani Elezit-Kaçanik, tek vendi i...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img