17,07,2024

Blic Intervista || Ardian Gjini: AAK-ja nuk ka pasur dijeni për hedhjen e gazit lotsjellës

Must Read

Gjini

Nënkryetari i parë i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ardian Gjini, ka thënë se AAK-ja nuk ka qenë e njoftuar se do të hidhet gaz në ceremoninë inauguruese të presidentit të ri të Kosovës, Hashim Thaçi.

Sa i takon protestës së thirrur për 14 maj nga AAK-ja, ai në një intervistë të dhënë për Gazetën Blic, ka deklaruar se Aleanca për Ardhmëirnë e Kosovës e ka parë të arsyeshme që këtë vendim ta marrë qysh tani, pasi që ka vlerësuar se shtyrja e protestës ka qenë e gabueshme.

Tutje, Gjini ka thënë se ka pasur biseda mes partive të bllokut, ndonëse vendimi për protestën e radhës nuk është marrë nga të gjitha partitë opozitare. Megjithëkëtë, sipas tij, opozita nuk është duke shkuar drejt përçarjes.
Gjatë kësaj bisede, nënkryetari i AAK-së ka folur edhe për ceremoninë e inaugurimit të Thaçit president, si dhe për vendimin e komisionit ndërkombëtar ndaj Demarkacionit, me ç’rast këtë të fundit, e ka cilësuar si një çështje që akoma nuk ka përfunduar.

GazetaBlic: AAK-ja thirri protestë gjithëpopullore më 14 maj. A jeni konsultuar me partitë e tjera opozitare, apo vendimin e keni marrë si parti e pavarur?

Ardian Gjini: AAK ka menduar se anulimi i protestës së 26 marsit ka qenë gabim. Ne e kemi ftuar protestën për datën 14 maj dhe i kemi ftuar të gjithë qytetarët dhe partitë politike që të bashkohen. Me Nisma për Kosovën kemi gjetur pajtueshmëri menjëherë.

GazetaBlic: Pse e morët këtë vendim pa u konsultuar me pjesën tjetër opozitare?

Ardian Gjini: Kemi pasur biseda, por e pamë të nevojshme që të marrim vendim tani.

GazetaBlic: A rrezikon opozita që t’i ndajë rrugët, kur dihet se para pak kohësh ka pasur edhe të tjera mospajtime midis partive?

Ardian Gjini: Jo, Kosova do të ketë opozitë. Pyetje tjetër është se sa mund të bashkëpunojnë të gjitha partitë opozitare pas zgjedhjeve.

GazetaBlic: Çka synoni të arrini konkretisht me këtë protestë?

Ardian Gjini: Synojmë ta forcojmë demokracinë, lirinë, sundimin e ligjit dhe ta ndërtojmë të ardhmen e vendit ashtu që populli të mos jetë vetëm makinë votimi, por pjesëmarrës aktiv në ndërtimin e së ardhmes së vet. Të tregojmë se në Kosovë ka popull dhe se ai nuk pajtohet me gjendjen në të cilën e ka sjellë vendin keqqeverisja. Se nuk pajtohet me vendimet që e cenojnë territorin e vendit dhe që e zhbëjnë tendin kushtetues të Kosovës.

GazetaBlic: Sot u mbajt edhe ceremonia e inaugurimit të presidentit të ri. AAK-ja e cilësoi si “cirkus” këtë ngjarje. Pse?

Ardian Gjini: Kjo e ashtuquajtura ceremoni nuk ia ka bërë asnjë nder as Kosovës, as qytetarëve të saj e as demokracisë sonë. Përkundrazi, e ka paraqitur vendin tonë me një pamje qesharake.

GazetaBlic: Në ceremoninë e inaugurimit u hodh gaz lotsjellës. A ishte ky aksion i opozitës së bashkuar?

Ardian Gjini: Jo. Aleanca nuk ka pasur fare dijeni për aksionet në fjalë.

GazetaBlic: Opozita qe zotuar që nuk do të lejojë që Thaçi të zgjidhet president. Po ashtu, doli kundër marrëveshjeve të Brukselit. Megjithëkëtë, Thaçi u zgjodh, ndërsa komisioni ndërkombëtar vlerësoi se nuk ka pasur shkelje në marrëveshjen e demarkacionit. Sa janë gjasat që Opozita të sjellë ndonjë rezultat pas tërë këtyre?

Ardian Gjini: Asgjë nuk është mbyllur sa i përket demarkacionit. Ne jemi të bindur se komisioni ynë shtetëror ka bërë gabime fatale në këtë proces. Zgjedhja e Thaçit për president mund të ketë qenë legale, nëse strikt flasim. Por legjitimiteti i kësaj zgjedhjeje do të jetë gjithmonë i kontestueshëm. Blerja e votave të deputetëve dhe licencimi i bizneseve të disa të tjerëve një ditë para votimit, do të jetë një hije e zezë gjatë gjithë presidencës së Thaçit e edhe më pastaj besoj unë. /GazetaBlic/

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Arrestohet një person për përdorim të armës

Policia e stacionit në Ferizaj me datën 15.07.2024 rreth orës 23:30 ka pranuar një informacion se në rrugën  ‘’Vëllezërit...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img