E përditshmja më e madhe serbe “Blic” sot ka dalë me një ballinë nxitëse për luftëra të reja në Ballkan.
Ballina me titullin “Ballkani sërish fuçi baruti”, portretizon liderët ballkanikë, duke u nisur nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, presidentja e Kroacisë, Kolinda Grabar Kitaroviq etj..
Në tekstin me mbititullin “Në rajon sërish përmenden vitet e luftës”, janë edhe Bakir Izetbegoviq, përfaqësues i presidencës boshnjake, pastaj krimineli serb Vojisllav Sheshel, kryetari i SPS-it, Ivica Daçiq, ish-komandanti boshnjak, Naser Oriq, dhe ish-gjeneralmajori kroat, Branimir Glavash.
“Marrëdhëniet ndërmjet Serbisë, Kroacisë dhe Bosnjës qe një kohë të gjatë nuk kanë qenë në nivel me të ulët. Daçiq: Deklarimet e Kroacisë ngjasojnë me ato të vitit 1940. Ministri kroat Kovaç: Propaganda e Serbisë të kujton vitet e 90-ta të agresionit të Millosheviqit”, është nëntitulli i gazetës serbe.
Deklarata e presidentit kosovar nuk është përfshirë, por ka të bëjë me përmendjen e padisë ndaj Serbisë për gjenocid në Kosovë.
Kohëve të fundit në Serbi përmendet gjithnjë e më shumë se “Blic” ka rënë në ndikimin kryeministrit Alekandar Vuçiq, prandaj një tekst i tillë shihet edhe si përçim i mesazhit të tij.