28,12,2024

“Betonimi” i tokave bujqësore

Must Read

Një fenomen shqetësues që në Kosovë po vazhdon që nga përfundimi i luftës, është asgjësimi i tokës së punueshme. Ekspertë për çështje të bujqësisë, theksojnë se betonimi i tokës pjellore në të ardhmen do të sjellë pasoja, në mungesë të sigurimit të produkteve elementare bujqësore.

Këto sipërfaqe, kryesisht rreth magjistraleve, në të gjitha komunat e Kosovës janë shndërruar në zona industriale, objekte afariste e komerciale dhe banesa kolektive.

Sipas regjistrimit të fundit të bujqësisë, thuhet se gjithsej sipërfaqja e tokës që shfrytëzohet në Kosovë është 512 mijë hektarë tokë, me mesatare prej 3.9 hektarë tokë për ekonomi bujqësore.

Megjithatë, shifrat zyrtare mungojnë se sa hektarë tokë iu ndërrohet destinacioni nga toka bujqësore në toka për qëllime tjera. Kjo për faktin, se në bazë të ligjit në fuqi, kjo kompetencë i takon Kuvendeve Komunale, dhe në baza vjetore të raportojnë në ministrinë e Bujqësisë.

Kurse, jo të gjitha komunat paraqesin raportin vjetor në ministri, thotë Idriz Gashi, shef i Divizionit për Tokën Bujqësore, që funksionon në kuadër të Ministrisë se Bujqësisë.

Por, Gashi tregon se në bazë të disa analizave të realizuara nga ministria e bujqësisë dhe ekspertë ndërkombëtar, vlerësohet se rreth 500 hektarëve tokë bujqësore iu ndërrohet destinimi brenda një viti.

“Ministria e Bujqësisë për të evituar këtë humbje të tokës bujqësore në mënyrë të paargumentuar, në mënyrë të pa kontrolluar, me Ministrinë e Planifikimit Hapësinor ka zbatuar planin për të gjitha komunat e Kosovës. Pra, është fjala për krijimin hartave zonale, projekt ky që është në proces dhe parashihet edhe me ligjin për planifikimin hapësinor. Me këtë rast do të dihet se cila tokë bujqësore do të ruhet për aktivitetet bujqësor dhe do të ruhet më ligj, dhe cila tokë do shfrytëzohet për toka ndërtimore apo aktivitete urbane apo të zhvillimit ekonomik”, ka thënë Gashi.

Por, profesori në Fakultetin e Bujqësisë në Universitetin e Prishtinës, Halim Gjergjizi, vlerëson se për çdo vit në Kosovë humbin mbi 1000 hektarë sipërfaqe të tokës së punueshme.

“Në këto sipërfaqe bujqësore ballafaqohen interesat e shumë subjekteve edhe të urbanizimit të ndërtimit të rrugëve. Por, më e keqja është se në shumë këto vite, sidomos të viteve të pasluftës, ka pas një shndërrim të tokës bujqësore në tokë ndërtimore në mënyrë të pakontrolluar. Në masë të madhe e kanë zvogëluar sipërfaqen e përgjithshme bujqësore, e në veçanti sipërfaqen e punueshme”, ka thënë Gjergjizi për Radion Evropa e Lirë.

Gjergjizi shpreh shqetësimin se më zvogëlimin e sipërfaqes së tokës së punueshme gjeneratat e reja do të përballen më mungesë të prodhimit të produkteve bujqësore, kurse vendi do të varet nga importi i produkteve të huaja.

“Edhe sot Kosova varet nga importi i produkteve agro-ushqimore. Por, në të ardhmen po supozojmë edhe rritjes së popullsisë dhe rritjes se standardit, kërkesat do të rriten shumë më shpejtë se sa që mund të sigurohet një sasi shtesë e prodhimtarisë bujqësore. Kështu që kjo do të jetë një problem shumë i ashpër sa i përket sigurimit të ushqimit në të ardhmen”, thotë Gjergjizi.

Edhe procesi i privatizimit ka ndikuar në zvogëlimin e sipërfaqes së tokës së punueshme. Sipas një raporti të publikuar nga Ministria e Bujqësisë, thuhet se nga viti 2004 e deri në vitin 2014 janë privatizuar mbi 28 mijë hektarë, më çmim mesatare të shitjes prej 34 euro për një ari.

Kurse, sipas Ligjit për Tokat Bujqësore në Kosovë, ndërrimi i destinimit të tokës bujqësore mund të bëhet vetëm në pajtim me planin e rregullimit hapësinor dhe dispozitat tjera të përcaktuara me Ligj.

Në të kundërtën, çdo shfrytëzim apo ndërrim i destinimit të tokës për qëllime jo bujqësore, sipas këtij ligji, ndëshkohet me gjobë prej 1.000 euro deri në 10.000 euro.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Agim Aliu: I gjithë Ferizaj në terr, kjo është e pashembullt!

Ditëve të fundit e veçanërisht sot, Ferizaj po përballet me gjendje të pashembullt e të pandodhur më parë sa...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img