24,12,2024

Bashkatdhetarët e bëjnë me shtëpi të re vëllain e dëshmorit

Must Read

Me ndihmën e xhematit të xhamisë Schwamendigen të Cyrihut, sot familja e Fadil Sylejmanit nga Dobrosini i Bujanocit u bë me shtëpi të re.

Me ndihmën e bashkatdhetarëve që jetojnë në Zvicër, me konkretisht të pjesëtarëve të xhematit të xhamisë Schwamendigen të Cyrihut, sot familja e Fadil Sylejmanit nga Dobrosini i Bujanocit u bë me shtëpi të re. Solemnisht çelësat e objektit të ri, ia dorëzoi njeriu që kishte udhëhequr këtë ide humanitare, hoxha i kësaj xhamie, Fahredin Bunajku.

Të pranishëm në këtë ceremoni ishin një numër i madh i bashkëfshatarëve dhe bashkatdhetarëve, ndërsa familja Sylejmani tha se ndihet e privilegjuar jashtëmase dhe e gëzuar për shtëpinë e re.

Pronari i shtëpisë, Fadili që është edhe familjar i dëshmorit, vëllai i dëshmorit më të ri të UÇPMB-së, Daut Sylejmani, falënderoi xhematin e xhamisë Schwamendigen të Cyrihut për ndihmën financiare, por njëkohësisht falënderoi edhe bashkëfshatarët që kanë ndihmuar vullnetarisht si fuqi punëtore në ndërtimin e shtëpisë së re.

Xhemati i kësaj xhamie në Cyrih, nuk e ka ndihmuar vetëm familjen Sylejmani, por ka vazhduar edhe më parë të ndihmoj shumë familje të tjera, raporton Albinfo.ch.

Hoxha Fahredin Bunajku, për këtë aksion i falënderoi xhematin e xhamisë që i janë përgjigjur idesë humane për ta bërë me shtëpi këtë familje, e njëkohësisht falënderoi dy njerëzit që ndihmuan praktikisht ndërtimin e xhamisë, bashkatdhetarin Ramadan Nuhiun dhe bashkëvendësin e Fadil Sylejmanit, Shefket Shefkiun.

Hoxha i xhamisë Schwamendigen, u shpreh shumë i kënaqur që ky projekt, në Dobrosin është realizuar në mënyrën më të mirë, derisa premtoi se bashkatdhetarët që i kanë besuar atij, kanë nisur tashmë edhe projektin tjetër për ndërtimin e një shtëpie në fshatrat e Skënderajt në Drenicë.

Ai tha se ky është projekti i dytë që do të kryhet sivjet, ndërsa familjes që po i ndërtohet shtëpi, akoma po jeton në tenda.

“Në Dobrosin jemi shumë të kënaqur, sepse me ndihmën e xhematit, siç thotë populli, me një gur kemi goditur dy caqe. Kemi ndërtuar një shtëpi për një familje skamnore me 7 anëtarë dhe e dyta, kemi ndërtuar shtëpi për familje të dëshmorit”, deklaroi Bunjaku për Albinfo.Ch.

Ndryshe, pronari, por edhe udhëheqësit e projektit falënderuan edhe kompanitë “Bici”, “Gapi”, “Veta”…që kanë furnizuar me material ndërtimor pa përfitime të rëndomta. Familja e Fadil Sylejmanit është shtatë anëtarëshe dhe për një kohë të gjatë ka jetuar në një shtëpi të vjetër e ndërtuar disa dekada më parë dhe ishte në prag të rrënimit.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Shkaktoi 19 aksidente të qëllimshme për të përfituar nga sigurimi i veturave, arrestohet 23 vjeçari në Ferizaj

Një person i moshës 23 vjeçare është arrestuar pasi me qëllim të përfitimit material ka keqpërdorur sigurimet e veturave. Kjo...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img