13,04,2024

Banka botërore ende pa vendim për TC ‘Kosova e Re’

Must Read

Një vit pasi Qeveria tha se ka arritur një marrëveshje me Bankën Botërore dhe kompaninë amerikane “Contour Global” për ndërtimin e një termocentrali të ri, banka është ende larg një vendimi për ta mbështetur atë.

“Banka Botërore do ta marrë një vendim nëse do ta mbështesë projektin e termocentralit të Kosovës vetëm atëherë kur të kryhen analizat relevante mjedisore, sociale dhe teknike. Janë bërë konsultime me publikun dhe Bordi i Bankës si dhe aksionarët e saj i kanë dhënë projektit konsideratën e duhur”, tha Banka Botërore për BIRN.

Më tej, Banka ka thënë se është e përkushtuar për ta ndihmuar Kosovën që t’i zgjidhë problemet me energji nëpërmjet një strategjie gjithëpërfshirëse që përfshin rritjen e efiçiencës së energjisë, zhvillimin e energjisë së ripërtëritshme, integrimin e Kosovës në tregun rajonal të energjisë dhe mbështetjen e gjenerimit të energjisë që është e sigurt dhe e përballueshme për qytetarët.

Në nëntor të vitit të kaluar, Qeveria bëri të ditur se ka arritur një marrëveshje me kompaninë amerikane “Contour Global” për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”.

Paraprakisht ajo tha se “Contour Global” kishte propozuar investimin e një të tretës së parave të nevojshme për projektin, që vlerësohet të jetë rreth 1.4 miliard euro, përderisa shuma tjetër e parave do të vinin nga institucionet financiare ndërkombëtare dhe huadhënës të tjerë.

Roli i Bankës Botërore në këtë marrëveshje ishte lidhur me një kredi, por mbetet e paqartë se sa pritet që të investojë banka në këtë projekt.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, tha për BIRN se Kosova ka siguruar mbështetjen e Bankës dhe se të gjitha marrëveshjet do të nënshkruhen brenda një muaji, ndërsa punët në ndërtim do të fillojnë vitin e ardhshëm.

“Me bashkëpunimin e tyre të shkëlqyeshëm, ne kemi arritur që të marrim një përgjigje pozitive në kuptimin e mbështetjes për këtë projekt”, tha ministri Stavileci duke shtuar se Kosova ka qenë e kujdesshme në ekzaminimin e çështjeve mjedisore dhe sociale në mënyrë që të sigurohet mbështetja e të gjithë akterëve të përfshirë në proces.

Megjithatë, kompania “Contour Global” tha për BIRN se shumë gjëra duhet të qartësohen para se të nënshkruhen marrëveshjet. “Ne jemi duke punuar me zell në përmbylljen e marrëveshjeve”, tha kompania.

“Në projekte të këtij lloji ka shumë gjëra që duhet të qartësohen dhe përcaktohen. Kjo do të siguronte implementimin e suksesshëm të projektit”, tha “Contour Global”.

Kosova aktualisht i ka dy termocentrale: “Kosova A”, e ndërtuar në vitin 1962, dhe “Kosova B”, e ndërtuar në vitin 1984. Vjetërsia dhe mungesa e mirëmbajtjes së tyre kanë shkaktuar reduktime në energji duke prekur shëndetin dhe mirëqenien e shumë njerëzve që jetojnë afër tyre.

Qeveria dëshiron t’i ndërtojë dy termocentrale të reja, me nga 300 megavatë, ndërsa çmimi i secilit prej tyre pritet të shkojë deri në 1.4 miliard euro.

Konsorciumi Kosovar i Shoqërisë Civile për Energji të Qëndrueshme (KOSID), një OJQ, ka akuzuar Qeverinë për mungesë të transparencës për këtë projekt duke u ankuar për mungesë të informacioneve.

.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Vrasja në Ferizaj, Agim Aliu: Të gjithë të tronditur, bashkëndiejmë me familjen e viktimës

Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, është shprehur i tronditur pas ngjarje së rëndë që ndodhi pasditen e...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img