Banorët e rrugës ‘Hajredin Hoxha” në Ferizaj i janë gëzuar sot asfaltimit të rrugës së tyre e cila ka një gjatësi prej 350 metrave.
Nga afër inspektimeve e punimeve në këtë asfaltim doli edhe kryetari i Komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa, i shoqëruar edhe nga drejtori i infrastrukturës, Gafurr Ilazi.
Me këtë rast Svarqa tha se ky është një projekt i cili shpije drejtpërdrejt mbi 50 hektarët e kompleksit të pishave tek Parku i Lirisë.
“Ne po krijojmë lehtësira për qasje më të mirë për automjete dhe për këmbësoret. Ky është një projekt që për fat të keq një kohë të gjatë ka pritur të realizohet për shkak të shpronësimeve që janë gjendur këtu, por me kompromise kemi gjetur mundësinë që ti tejkalojmë këto pengesa. Është një projekt i shoqëruar në të dyja anët me shtigje për këmbësore që i përgjigjet segmentit të turizmit në këtë zonë, dhe është një përkujdesje e qeverisë komunale për realizmin e projekteve të rëndësishme infrastrukturore në tërë Komunën e Ferizajt”, ka thënë kryetari Svarqa.
I pari i qeverisë komunale Muharrem Svarqa është shprehur se në Ministrinë e Infrastrukturës, ka aplikuar edhe për vazhdimin e rrugës “Brahim Ademi” nga aty ku ka mbetur e deri tek Parku i Lirisë, apo tek zona e komplekseve spitalore.
Edhe banorët e kësaj pjese të rrugës, janë shprehur të kënaqur me këtë projekt. Ata thanë se një projekt i tillë ka qenë i domosdoshëm për ta.
U bë e ditur se vlera e këtij projekti Komunës së Ferizajt, i ka kushtuar 130 mijë euro, ndërsa gjatësia e kësaj rrugë është 350 metra dhe me gjerësi 6 metra, ndërkaq ka të shoqëruar edhe kanalizimin atmosferik.