Këtë të martë në qytetin e Ferizajt janë asfaltuar rrugët”Edmond Hoxha”, “Luan Haradinaj” dhe “Bajram Curri” .
Janë këto tri rrugë, nga 11 sa janë të planifikuara për këtë vit, të cilat lidhen me rrugën “Kadri Zeka” në Ferizaj.
Asfaltimi i këtyre rrugëve do t’u mundësojë qytetarëve të kësaj pjese të lagjes së re të kenë një qasje më të lehtë edhe në rrugën magjistrale.
Për këtë edhe banorët e kësaj pjese u shprehën të kënaqur që më në fund kanë shpëtuar nga gropat dhe balta e cila në kohët me shira ishin vështirë të kalueshme.
Punimet në asfaltimin e këtyre rrugëve i vizitoi edhe kryetari i komunës së Ferizajt Muharrem Svarqa i cili tha se në gjysmën e këtij viti projektet kryesisht janë të orientuara në rrugët e qytetit.
“Është një kod buxhetor për asfaltimin e rrugëve në qytet,në kuadër të cilit po asfaltohen këto rrugë të cilat kanë lidhje me rrugën “Kadri Zeka’ . Në kuadër të kësaj po bëjmë përpjekje që këto rrugë të lidhen edhe me rrugën “Astrit Bytyqi”. Në kuadër të këtij kodi buxhetor të gjitha investimet do të jenë të koncentruara te rrugët e qytetit dhe qendrën e qytetit” tha Muharrem Svarqa.
Ai bëri të ditur se këto projekte do ti kushtojnë buxhetit të komunës rreth 80 mijë euro.
Njëkohësisht kryetari Svarqa ka falënderuar për bashkëpunimin dhe gatishmërinë e qytetarëve për të liruar edhe pjesë të pronave të tyre pa kompensim që ka mundësuar realizimin e këtyre projekteve.