Vuajtjeve dekadëshe të banorëve të qendrës së qytetit, për mungesë të infrastrukturës rrugore, i erdhi fundi. 4 rrugë të rëndësishme të zonës qendër, që degëzohen me rrugën “Sejdi Sejdiu” u asfaltuan sot në kuadër të programit të qeverisjes lokale për rregullimin përfundimtar të infrastrukturës rrugore në zonën urbane. Rruga “Mbretëresha Teutë”, “Hoxhë Kadri Prishtina” dhe të tjera, përmbyllin ciklin e investimeve infrastrukturore në këtë zonë, të mbetura në harrësen e autoriteteve për dekada të tëra.
Për t’i inspektuar punimet në këtë arterie të rëndësishme rrugore që lidh qytetin në disa pjesë, doli drejtori i Infrastrukturës, Arbër Bytyqi. Ai tha se këtë vit përmbyllet asfaltimi i të gjitha rrugicave në qytet që janë të përfshira në këtë projekt.
“Në kuadër të kompletimit të infrastrukturës në zonën urbane, gjegjësisht në kuadër të projektit të asfaltimit të rrugicave, sot jemi në asfaltimin e 4 rrugicave, bëhet fjalë për një gjatësi rreth 1 kilometër, ne ditë më parë në kuadër të këtij projekti kemi asfaltuar 7 rrugica kurse ditët në vijim do të asfaltohen edhe 6 rrugica tjera dhe besoj që gjatë këtij viti ky projekt, gjegjësisht rrugicat që janë në kuadër të këtij projekti do t’i kompletojmë dhe qytetarët do të kenë mundësi t’i gëzojnë këto rrugë” tha Arbër Bytyqi, drejtor i Infrastrukturës.
Ndonëse investim ky i vonuar, banorët e kësaj ane e mirëpritën asfaltimin e rrugëve në këtë zonë duke u shprehur falënderues ndaj Komunës së Ferizajt që ka përfshirë rregullimin e infrastrukturës në zonën e tyre, përkatësisht zonën urbane në përgjithësi.