29,12,2024

Arsyeja përse nuk duhet të pini kurrë cigare pranë fëmijëve, ja çfarë i shkakton tymosja pasive zemrës së tyre

Must Read

Pirja pasive e duhanit shkakton ndryshime të pakthyeshme në enët e gjakut tek fëmijët dhe rrit rrezikun që në moshën madhore të vuajnë nga sulmet në zemër apo goditjet në tru, sipas një studimi të madh ndërkombëtar të publikuar të mërkurën.
Hulumtimi i cili promovon fushatën kundër pirjes së duhanit në automobila dhe shtëpi konstatoi se pirja pasive e duhanit shkakton trashje të mureve të enëve të gjakut tek fëmijët dhe i vjetron enët për 3.3 vjet deri në fund të fëmijërisë.
“Ekspozimi ndaj pirjes pasive të duhanit në fëmijëri shkakton një dëm të drejtpërdrejtë dhe të pakthyeshëm në strukturën e arterieve,” thotë Seana Gall, shkencëtare në Universitetin e Tasmanisë, e cila merret me epidemiologjinë e sëmundjeve kardiovaskulare.
Ajo thotë se prindërit, madje edhe ata që mendojnë të bëhen prindër, duhet të ndalojnë me pirjen e duhanit për ta ndihmuar si shëndetin e tyre ashtu edhe shëndetin e fëmijëve të tyre.
Pirja e duhanit shkakton kancer të mushkërive, i cili është shpesh fatal, dhe është shkaku më i rëndësishëm në botë i vdekjes së parakohshme nga sëmundjet kronike si sëmundjet e zemrës, goditja në tru, ose shtypja e lartë e gjakut.
Përveç gjashtë milionë njerëzve të cilët vdesin në vit si pasojë e pirjes aktive të duhanit, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) thotë se edhe 600.000 të tjerë vdesin çdo vit nga ekspozimi ndaj pirjes pasive të duhanit.
Prej më shumë se katër mijë kimikateve në tymin e duhanit, të paktën 250 janë të dëmshme dhe më shumë se 50 kancerogjene, thotë OBSH dhe e vetmja mënyrë për t’i mbrojtur njerëzit plotësisht është mjedisi në të cilin nuk pihet duhani.
Rreth 40 për qind e fëmijëve në botë ekspozohen rregullisht ndaj pirjes pasive të duhanit në shtëpitë e tyre dhe pothuajse një e treta e vdekjeve si pasojë e pirjes pasive të duhanit janë fëmijë.
Studimi i publikuar në revistën “European Heart Journal” është i pari i cili i ka përcjellë fëmijët deri në moshën madhore dhe i cili ka kërkuar lidhje në mes të ekspozimit ndaj pirjes pasive të duhanit dhe zgjerimit të mureve arteriale tek fëmijët.
Shkencëtarët nga Finlanda dhe Australia e kanë ndjekur ekspozimin ndaj duhanpirjes pasive në fëmijërinë e 2,401 personave në Finlandë dhe 1,375 personave në Australi dhe me ultrazë kanë matur trashësinë e mureve të enëve të gjakut të tyre kur ata janë rritur.
Rezultatet treguan se muret e arteries karotide ishin 0.015 milimetra më të trashë tek ata që ishin ekspozuar ndaj duhanpirjes së të dy prindërve në krahasim me personat të cilët në fëmijëri nuk ishin ekspozuar ndaj pirjes pasive të duhanit.
Gall thotë se, edhe pse bëhet fjalë për një rritje modeste në trashësinë e enëve të gjakut, ky është ende një rrezik i rëndësishëm dhe i pakthyeshëm për sulme në zemër dhe goditje në tru më vonë në jetë.
Duke pasur parasysh që fëmijët e duhanpirësve kanë shumë të ngjarë që të bëhen edhe vetë duhanpirës dhe obezë në moshën madhore, rreziqet e tyre nga sëmundjet e zemrës janë të rritura, thotë Gall, ndërsa pirja pasive e duhanit përbën një rrezik shtesë.
Shkencëtarët thonë se ky zbulim tregon se reduktimi i ekspozimit të fëmijëve ndaj pirjes pasive të duhanit është një prioritet i shëndetit publik. SHBA, Australia dhe Kanadaja kanë aplikuar ndalimin e pirjes së duhanit në automjete të cilat transportojnë fëmijë, ndërsa Britania është duke u përgatitur ta bëjë këtë së shpejti. Kidstime.al

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Agim Aliu: I gjithë Ferizaj në terr, kjo është e pashembullt!

Ditëve të fundit e veçanërisht sot, Ferizaj po përballet me gjendje të pashembullt e të pandodhur më parë sa...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img