Inspektorati i Policisë ka arrestuar një zyrtar të Policisë që ka shërbyer në Ferizaj nën dyshimin se ka kryer veprën penale Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge.
Sipas njoftimit nga IPK arrestimi i zyrtarit policor B.J (punonjës i stacionit policor në Ferizaj) është bërë në pikë kalimin kufitar në Vërmicë me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale e përmendur më lart.
Gjatë kontrollit të detajuar, tek i dyshuari janë gjetur një sasi prej mbi 500 gram e substancës që dyshohet të jetë substancë narkotike e llojit kokainë.
Zyrtarit policor të arrestuar me vendim të Prokurorit kompetent i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
Po ashtu me rekomandim të Inspektoratit Policor të Kosovës është suspenduar edhe një zyrtar policor- punonjës në Stacionin Policor Kufitar Vërmicë lidhur me dyshimin e kryerjes së veprës penale “keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”, sepse i njëjti nuk e kishte regjistruar në bazën e të dhënave të Policisë së Kosovës tani të arrestuarin gjatë hyrjes së tij në Kosovë.