Familja 11 antarëshe Kosumi nga fshati Gaçkë dhe familja 4 antarshe Palloshka nga fshati Pleshinë u bënë me kulm mbi kokë, falë komunës së Ferizajt dhe donatorëve të shumtë.
Çelësat e shtëpisë për këto dy familje i dorëzoi kryetari i Komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa së bashku me drejtorin e shëndetësisë dhe mirëqenies sociale Burim Karameta si dhe bashkëpunëtoret të tjerë. Kryetari Svarqa tha se është ndjenë e veçante që pikërisht në prag të festës së Bajramit, këto familje të hynë në shtëpi të re.
“Ne po synojmë që përmes realizmit të këtyre projekteve ta zgjedhim çështjen e banimit të gjithë banorëve të komunës së Ferizajt, të cilët gjer më tani nuk e kanë pasur çështjen e zgjidhur. Jam shumë i lumtur që në kuadër të festës së Bajramit kemi arritur që ti gëzojmë këto familje me shtëpi të re të cilat do të krijojnë kushte dhe mundësi të mira për një jetë më të mirë dhe do të krijojnë kushte edhe për fëmijët që në hapësira më të gjera të kryejnë edhe mësimet e tyre”, ka thënë kryetari Svarqa, duke shtuar se regjistri i atyre që nuk e kanë e të zgjidhur çështjen e banimit po zvogëlohet si rezultat i kujdesit të qeverisë komunale ne ndarjen buxhetor përmes Drejtorisë së Mirëqenies Sociale si dhe përmes donatorëve e afaristeve të fuqishëm të komunës sonë.
Ndërkaq familjet që përfituan në këtë rast janë shprehur tejet të lumtur që më në fund janë bërë me shtëpi të reja falë komunës së Ferizajt dhe donatorëve të shumtë.
U bë e ditur se deri më tash Komuna e Ferizajt problemin e banimit e ka zgjedhur për mbi 30 familje.