22,12,2024

Ushtarët e Agim Ramadanit: Kurrë nuk do të ketë as varr e as lapidar për serbët në Koshare

Must Read

Veteranët e Brigadës 138 “Agim Ramadani” kanë reaguar në lidhje me vizitën që dje ka bërë Aleksandër Jabllanoviq në karakollin ku në vitin 1999 kanë qenë të vendosur ushtria dhe policia serbe.

Sipas veteranëve të kësaj Brigade, Jabllanoviq, në fillim të vitit 2015 nxiti nënat gjakovare me deklaratat e tij dhe për këtë, mori vlerësimin e duhur nga populli i Kosovës, për çka, iu desh të kthehej prapë tek mentori i tij, në Beograd.

“Ai kishte bërë deklarata bombastike edhe nëpër televizione, se si pjesëtarë të partisë së tij politike (Srpska) paskan ‘mbrojtur Serbinë në Koshare e Morinë’. Vlerësimin për këtë, më së miri e jep manifestimi ‘Ditët e Shqipes’ çdo fillim prilli”, thuhet në reagimin e veteranëve të Brigadës 138.

Prandaj, thuhet në komunikatë vizita e Aleksandar Jabllanoviqit në karakollin e Kosharës, duhet të vlerësohet drejt – si një orvatje për të kompensuar mangësitë e tij personale dhe mungesën e bagazhit të tij njerëzor dhe kombëtar.

“Duke qenë i mitur (tre muaj pa i mbushur 18 vjet) në kohën e Betejës së Kosharës, Jabllanoviq mendon se në këtë mënyrë – duke hedhur gurin e pastaj duke ikur nga vendi i ngjarjes – do të arrij të bëjë njëfarë kompensimi”.

Por, duke pasur parasysh pozitën e tij zyrtare – si Sekretar Shtetëror në Ministrinë për Punë, Punësim, Çështje Sociale dhe të Luftëtarëve, në Qeverinë e Serbisë, kjo vizitë duhet të shqyrtohet edhe në kontekst të asaj që ka ndodhur në Koshare – beteja më e famshme në mes të UÇK-së dhe Ushtrisë së Serbisë, e cila ishte e mbështetur nga njësi të shumta policore e paramilitare, duke përfshirë edhe mercenar rus.

Kosharja është vendi ku u zhduk integriteti territorial i Serbisë, ishte vendi ku u zhduk edhe fizikisht dhe përfundimisht “sovraniteti” i Serbisë në Kosovë.

Kjo vizitë e Jabllanoviqit, mbase do t’i shërbej atij dhe të tjerëve sikur ai, si thirrje për t’u këndellur dhe për të pranuar të vërtetën dhe realitetin.

Sipas njoftimit në Betejën e Koshares kanë rënë dëshmorë 114 luftëtarë të UÇK-së, të cilët bëjnë roje të amshueshme, në kufi të vjetër. Këta djem e burra, janë shëmbëlltyrë e luftëtarëve të lirisë dhe flijimit për atdhe dhe për komb.

“Duke kuptuar dhimbjen njerëzore të prindërve e familjarëve, për ushtarët e vrarë në këtë betejë, ne nuk do të ndjehemi asnjëherë në faj për humbjen e tyre. Fajtorin ata duhet ta gjejnë në traditën e vet kombëtare dhe në pretendimet e veta ekspansioniste, në dëm të kombeve tjera, gjatë tërë historisë së tyre. Historia e tyre ka plot raste të veprave ‘madhore’ (deri edhe të vrasjes së fëmijëve të vet), për të arritur një qëllim të caktuar politik, sado që ai qëllim të jetë shkurtpamës e shkatërrues për vet ata. Në Koshare janë vrarë 108 ushtarë e policë të armikut, duke mos llogaritur këtu edhe paramilitarët dhe mercenarët. Aleksandar Jabllanoviq qenka përkulur buzë gërmadhës së karakollit të Kosharës, për të nderuar “heronjtë” e vet, të kësaj beteje, të cilën serbët e quajnë – “Beteja e dytë e Kosovës”, duke e krahasuar me humbjen e madhe që kanë pësuar para 627 viteve”, thuhet në njoftim.

Veteranët kanë thënë se në Koshare, nuk ka asnjë varr të ushtarëve serb, e nuk do të ketë asnjëherë ndonjë lapidar, mbi të cilin gjenerata aktuale politike e Beogradit, do të mundë të ndërtonin ndonjë mit të ri, për gjeneratat e shekullit të ardhshëm, siç kanë bërë në të kaluarën, duke keqpërdorë mirësjelljen dhe dashamirësinë shqiptare.

Jablanoviq sipas veteranëve të UÇK-së, ndonëse në formë të heshtur, ai dje ka pranuar se “ushtria hyjnore” ka pësuar humbje të rëndë në Koshare.

“Për ta ndihmuar në këtë drejtim, ai mundë të mësojë nga ata që e kanë vizituar këtë vend përpara tij, e sidomos, të mësojë nga ata, të cilët dikur, ikën nga ky vend për të shpëtuar kokën, në mënyrë aspak krenare as hyjnore”.

Ndërsa kërkojnë nga zyrtarët e Qeverisë së Kosovës, do të duhet të sqarojnë kush i dha leje Jabllanoviqit për një vizitë të tillë, ngase Aleksandar Jabllanoviq, me sjelljen e tij prej cubi, që nuk përkon me dinjitetin e një zyrtari, e as me burrërinë për të cilën ai pretendon, nuk ka respektuar kurrfarë protokolli zyrtar, qoftë ushtarak, apo diplomatik dhe për këtë, duhet kërkuar përgjegjësi.

“Si i tillë, ai e ka bërë veten person të padëshiruar në hapësirën e Kompleksit Memorial të Kosharës. Të tillë do ta konsiderojnë atë luftëtarët e kësaj beteje, invalidët, familjet e dëshmorëve. Ne, të cilët, me luftë e hoqëm flamurin e Serbisë nga shtiza në Koshare, më 10 prill 1999. do të kujdesemi që ai flamur nuk do të ngritet më asnjëherë”.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Shkaktoi 19 aksidente të qëllimshme për të përfituar nga sigurimi i veturave, arrestohet 23 vjeçari në Ferizaj

Një person i moshës 23 vjeçare është arrestuar pasi me qëllim të përfitimit material ka keqpërdorur sigurimet e veturave. Kjo...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img