Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, thotë se përkushtimi i tij për anëtarësim në Bashkimin Evropian nuk është lëkundur pas daljes së Britanisë, por ka bërë thirrje për “ndryshim substancial” në natyrën e lidershipit të BE-së për të siguruar mbijetesë.
Në intervistën për agjencinë AFP në Tiranë, Edi Rama e ka përshkruar votën e britanikëve për largim nga BE-ja, si tronditjen “më të rëndësishme” për Bashkimin Evropian dhe e ka theksuar rolin madhor të BE-së për paqen dhe sigurinë në Ballkan.
Pas Brexit-it kërkohet “ndryshim substancial në natyrën e lidershipit evropian”, në të kundërtën BE-ja rrezikon “të çmontohet pjesë-pjesë me konsekuenca që nuk do të jenë pozitive”, tha Edi Rama.
Shqipëria është kandidate për pranim në BE prej mesit të vitit 2014 dhe Rama beson se anëtarësimi do të ndodhë “nëse Bashkimi Evropian ekziston në ditën kur Shqipëria të jetë e gatshme”.