25,11,2024

Komuna e Graçanicës “masakron paranë publike”, shpenzon miliona euro kundërligjshëm

Must Read

Zyra e Auditorit të Përgjithshëm ka gjetur shkelje skandaloze në Komunën e Graçanicës që udhëhiqet nga Vladeta Kostiq.

Në këtë komunë ZAP ka gjetur se bëhen pagesa kundërligjshëm, ka gjetur shkelje në prokurorim ku u janë dhënë tender kompanive që s’i plotësojnë kushtet, ka gjetur shkelje në punësimin e stafit dhe pagesat e njerëzve dhe shumë gjëra të tjera.

Komuna e Graçanicës ka ndërtuar rrugë në vlerë prej 391 mijë eurove pa zhvilluar fare procedura të prokurimit.

“Nga shqyrtimi i kontratave, ne kemi identifikuar një sërë dobësish në blerjet përmes prokurimit. Këto kanë ndodhur sepse kontrollet menaxheriale nuk kanë funksionuar në mënyrë efektive për të zbatuar kërkesat ligjore dhe për të parandaluar çështjet e mëposhtme: Për “Ndërtimin e rrugës Radev-Batush-Novo Naselje” në vlerë 391,000€ dhe “Rikonstruktimin dhe ndërtimin e rrugës Preoc-Uglar” në vlerë 232,102€, komuna nuk kishte zhvilluar procedura të prokurimit por kishte shfrytëzuar një kontratë kornizë “Për mirëmbajtjen e rrugëve”. Po ashtu këto dy punë ishin kryer pa projekte detale të ndërtimit, siç kërkohet me UA 01/2014”, thuhet në vedimin e ZAP, raporton Indeksonline.

Komuna e Graçanicës kishte investuar investuar 26 mijë euro për “Ndërtimin e famullisë së kishës në Gushtericë të Epërme”, duke tejkaluar kompetencat komunale. Po ashtu në “Ndërtimin e kishës në Badovc të Ri”, Komuna e Graçanicës kishte shpenzuar 30 mijë euro kishte shpërlyer një operator ekonomik që nuk i kishte kryer detyrimet ndaj ATK-së.

“Komuna kishte investuar 26,259€ për “Ndërtimin e famullisë së kishës në Gushtericë të Epërme”. Investimi ishte bërë në pronë të kishës, duke tejkaluar kompetencat komunale të përcaktuara me nenin 17 të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale. Po ashtu për “Ndërtimin e kishës në Badovc të Ri” në vlerë prej 30,102€, komuna kishte shpërblyer me kontratë operatorin që nuk kishte plotësuar kriterin e kërkuar në dosjen e tenderit për mos detyrime ndaj ATK-së; dhe Komuna ka mbivlerësuar shpenzimet për investime kapitale duke paguar nga ky buxhet për furnizime dhe shërbime si në vijim: Kripë për nevoja të komunës në vlerë prej 9,850€, projektor dhe tableta në vlerë të përgjithshme 3,580€ dhe mobile/inventar (nën 1,000€) në vlerë 25,982€; dhe Një pagesë për mbledhje të mbeturinave në vlerë 9,360€ dhe dy pagesa për pastrimin e borës në vlerë 36,688€”, thuhet në vendimin e ZAP.

Komuna e Graçanicës ka planifikuar keq investimet, ku punët që ishin kryer më 2013, i ka paguar më 2015. Po ashtu kishte lidhur marrëveshje me kompani pa përfshirë në planin e prokurimit.

“Më 20.11.2013 komuna kishte lidhur kontratë për ndërtimin e amfiteatrit të shkollës në Llapna Sellë. Në vitin 2013 operatori kishte kryer punë në vlerë 8,948€ ndërsa pagesa e kësaj fature është bërë në vitin 2015. Projekti ka mbetur pezull pasi që komuna nuk ka planifikuar mjete për vazhdimin e këtij projekti. Kjo ka ndodhur për shkak të planifikimit të dobët të investimeve kapitale dhe mungesës së objektivave të qarta komunale; dhe Më 15.09.2014 komuna ka lidhur një memorandum mirëkuptimi me një operator për transportin e nxënësve të fshatit Janjevë i cili ishte përzgjedhur përmes prokurimit. Me këtë rast, si ‘çmim’ të shërbimit komuna kishte marrë përsipër mbulimin e shpenzimeve të karburantit, regjistrimin dhe servisimin e rregullt të automjetit transportues në vlerë totale 315€. Për me tepër, ky rast dhe katër raste tjerë nuk ishin përfshirë në planin e prokurimit”, thuhet në të gjeturat e auditorit, raporton Indeksonline

Kjo komunë ka bërë shpenzime duke shkelur ligjin duke lidhur marrëveshje të jashtëligjshme me kompani për ofrimin shërbimeve.

“Komuna e Graçanicës ka lidhur një marrëveshje të mirëkuptimit me “KPM Pastrimi” për pagesën e faturave mujore të pa arkëtuara prej amvisërive, bizneseve, policisë dhe gjykatave të cilat ndodhen në territorin e komunës. Komuna nuk kishte kryer obligimet e përcaktuara me marrëveshje dhe si pasojë Thesari ka bërë ekzekutimin e katër pagesave në vlerë prej 91,857€. Një marrëveshje e tillë nuk ka bazë ligjore dhe shpenzimet e tilla janë të parregullta. Për më tepër, këto pagesa ishin bërë nga buxheti për investime kapitale duke mbivlerësuar këto shpenzime. Menaxhmenti i komunës ka iniciuar rishikimin e kësaj marrëveshjeje gjatë kohës së auditimit”.

Auditimi ka identifikuar edhe shkelje të rënda në shpenzimin e parasë publike nga Komuna e Graçanicës.

Kjo komunë kishte kryer 6 pagesa në vlerë prej qindra mijëra eurove pa pasur një kontratë përmes prokurimit dhe pa ndonjë situacion apo raport rreth të pranimit të punëve, raporton Indeksonline.

“Auditimi ynë ka identifikuar tri pagesa direkte në llogarinë e bashkëfinancuesve në kundërshtim me rregullat financiare për shpenzimin e parasë publike si në vijim: Më 24.04.2015 komuna kishte lidhur një marrëveshje mirëkuptimi me “Prishtina REA” për ndërtimin e qendrës për inkubatorin e bizneseve. Komuna kishte bërë 6 pagesa direkte në vlerë 61,479€ nga buxheti për investime kapitale në llogari të “Prishtina REA” pa pasur një kontratë përmes prokurimit dhe pa ndonjë situacion apo raport rreth të pranimit të punëve; Më 02.06.2015 komuna kishte lidhur një marrëveshje bashkëpunimi me organizatën “Help” për zbatimin e projektit të përbashkët për mbështetjen e stabilitetit socio-ekonomik përmes fuqizimit të sektorit të mikrobiznesit në Kosovë. Komuna kishte bërë dy pagesa në vlerë 6,000€ nga buxheti për investime kapitale në llogari të “Help” pa një kontratë dhe pa ndonjë situacion apo raport për kryerjen e punëve/shërbimeve; dhe Më 05.03.2015 komuna kishte lidhur një marrëveshje mirëkuptimi me “KPM Pastrimi” për mirëmbajtjen e hapësirave të gjelbra. Komuna kishe paguar 105,000€ për 10 muaj, direkt në llogarinë e “KPM Pastrimi” pa një kontratë përmes prokurimit dhe pa raporte për pranimin e shërbimeve. Për me tepër, në dosjen e pagesave ishte bashkangjitur një marrëveshje mirëkuptimi me datë dhe numër identik me marrëveshjen bazë, por me tekst/përmbajtje të ndryshme ndërmjet gjuhës shqipe dhe serbe”.

ZAP ka gjetur edhe shumë shkelje në staf, emërmin e tyre dhe pagesat që bëhet nga Komuna e Graçanicës. Një zyrtar për çështje juridike, një zyrtar për TI dhe një zyrtar për informim kanë akt-emërime si shërbyesi civil në administratën e komunës ndërsa paguhen nga buxheti i shkollave.

“Po ashtu, nga buxheti i shkollave paguhen edhe 3 mjekë dhe 2 laborant të angazhuar në sektorin e shëndetësisë; 35 punonjës kanë kontrata dhe paguhen si personel arsimor në tri shkolla ndërsa janë te sistemuar dhe mbulojnë programe tjera të punës si: 4 zyrtarë për shërbime publike, 5 zyrtarë në kadastër, urbanizëm dhe inspektoriat, 1 shofer, 6 zyrtarë në shtëpinë e kulturës, 5 zyrtarë në qendrën sportive, 3 zyrtarë në qendrën për arsim në Lapna Sellë, 1 koordinator, 1 zyrtar si mirëmbajtës i objektit , 1 zyrtar në çerdhe dhe 1 zyrtar i TI-së. Sipas menaxhmentit të komunës, kjo ka ndodhur për shkak të kufizimit të numrit të zyrtarëve në programet e caktuara të komunës; Komuna kishte kontraktuar dhe paguar 7 punëtor që ishin të sistemuar në organizata private: 4 zyrtarë të “këshillit rinor” dhe 3 zyrtarë të manastirit të Graçanicës. Pas rekomandimit tonë gjatë auditimit, këta janë sistemuar në programin/departamentin e kulturës por vazhdojnë të paguhen nga programi i arsimit; dhe Tetë (8) punëtor paguhen nga buxheti komunal programi i shëndetësisë ndërsa punojnë në shtëpinë e shëndetit e cila nuk menaxhohet nga komuna, por nga strukturat paralele serbe. Shuma e pagave të tyre për vitin 2015 ishte 34,351€”.

“Çdo objekt i ndërtuar duhet të pajiset me një ‘çertifikatë të përdorimit’ të lëshuar nga komuna pas verifikimit nga komisioni relevant. Ne kemi identifikuar dy raste ku me vendim nga Kryetari, ndërtuesit ishin obliguar të paguajnë shumën 29,221€ direkt në llogaritë e anëtarëve të këtij komisioni. Kjo pagesë ishte bërë duke u bazuar në legjislacionin e vjetër të ndërtimit dhe si e tillë nuk ka bazë ligjore dhe paraqet ndëshkim financiar për sektorin privat”.

Kjo komunë ka ndarë subvencione në mënyrë skandaloze. Subvencionet ndahen kryesisht për entitete publike dhe entitete jo publike (individ), si bursa për studentë dhe nxënës, subvencione për sport, ndihmë me ndërtime të shtëpive në emër të gjendjes së rëndë ekonomike, ndihma në ushqim për rastet emergjente dhe ndihma tjera sociale, subvencione në bujqësi, etj. Madje Komuna e Graçanicës ka shpërblyer 11 herë një OJQ në emër të subvencionit me 19 mijë e 406 euro.

“Auditimi ynë i ndarjes së subvencioneve ka identifikuar dobësitë në vijim: Edhe pse komuna posedon një rregullore për ndarjen e subvencioneve, ajo nuk qartëson sa herë brenda viti mund të subvencionohen të njëjtit përfitues. Si pasojë, komuna kishte paguar disa herë gjatë vitit përfituesit e njëjtë si në vijim:

8 herë “TOG” në shumë të përgjithshme 43,820€;

6 herë “Kulturni klub Graçanica” në shumë të përgjithshme 20,850€;

11 herë “Omladinsi savet Graçanica” në shumë 19,406€;

5 herë “Omladinski drustvo L.S” në shumë 18,759€;

10 herë “Udruzenje invalida” në shumë 10,500€;

10 herë “NVO Prava na Zivot” në shumë 10,200€;

4 herë “Sportski savez Graçanica” në shumë 9,260€:

8 herë “Comunication for social development” në shumë 8,990€;

4 herë “Medikum media centar” në shumë 7,360€;

6 herë “NGO IURK” në shumë 7,360€;

3 herë “sportski drustvo za telesno OBRA” në shumë 6,780€;

5 herë ”Skola fudbala Graçanica SF GRA” në shumë 6,540€;

4 herë “Graçanica fair play” në shumë 6,420€;

3 herë “Odbojkaski klub Graçanice” në shumë 5,000€;

3 herë “Minatorin i ri ” në shumë 4,165€;

2 herë “OJQ Festivali Veror i Prishtinës” në shumë 1,490€;

3 herë “Kulturni klub Graçanica KKG”- në shumë 700€; dhe

Nga buxheti për subvencione komuna kishte paguar 8,620€ për 36 punëtorë nga “OJQ Izraz” me rastin “dita pastrimit të komunës 4”. Lista e punëtorëve të angazhuar kishte vlerën 7,200€ ndërsa subvencioni i ndarë ishte në vlerë 8,620€. Për me tepër, te kjo pagesë mungon projekti, një rekomandim nga komisioni pas shqyrtimit të projektit, dëshmitë mbi regjistrimin e OJQ , llogaria bankare dhe nuk ka ndonjë raport kthyes”, thuhet në vendimin e ZAP-it.

Po ashtu kjo komunë ka bërë ndërrimin e destinimit të tokës pa pëlqimin e Ministrisë së Bujqësisë.

“Komuna ka arkëtuar 133,519€ nga katër (4) raste për ndërrim të destinimit të tokës. Auditimi ynë ka identifikuar që vendimet për ndërrim të destinimit të tokës janë marrë pa pëlqimin e Ministrisë së Bujqësisë, e që paraqet shkelje të kërkesave të UA 41/2006 – për ndërrimin e destinimit të tokës”.

Po ashtu kjo komunë nuk ka paraqitur llogaritë e arkëtueshme nga shpronësimi në vlerë prej 620,268€ dhe nga qiraja e objekteve publike në vlerë 1,045€.

“Përkundër faljes së borxheve për tatim në pronë, vlera e llogarive të arkëtueshme vazhdon të jetë e lartë. Kjo ka ndodhur për shkak të politikave joefektive të zbatuara nga menaxhmenti dhe mungesës së një strategjie për inkasimin e këtyre borxheve. Komuna nuk kishte paraqitur llogaritë e arkëtueshme nga shpronësimi në vlerë prej 620,268€ dhe nga qiraja e objekteve publike në vlerë 1,045€. Ne nuk ishim në gjendje të konstatojmë vlerën e disa llogarive të arkëtueshme për vitet paraprake për shkak të mungesës së të dhënave”, përfundon raporti i ZAP-it për Komunën e Graçanicës.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Verona Kryeziu, shpallet fituese e Festivalit “Kosovarja Këndon” 2024

Festat e Nëntorit nisëm me Festën e Këngës Popullore - edicionin e 52-të të Festivalit "Kosovarja Këndon" Me këngë shpirti,...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img