Mediat turke e kryqëzuan Angela Merkel pas vizitës së saj në Turqi. Sipas tyre kancelarja e mbylli njërin sy teksa së bashku me delegacionin vizitoi kampin më të madh të strehimit të refugjatëve në Europë.
Kancelarja akuzohet së bashku me partnerët e saj europianë e kanë lënë pas dore Turqinë dhe se vizita e tyre ishte thjesht një formalitet.
Njëri prej gazetarëve më të njohur në Turqi, Can Dundar, i cili është në gjyq pasi mendohet që ka zbuluar sekretet e presidentit Rexhep Tajip Erdogan për dërgimin e armëve në Siri, tha se kancelarja Merkel po e shfrytëzon Turqinë për qëllimet e saj, dhe nuk po ia vë aspak veshin censurës që po përballet vendi.
Ka gjithashtu shqetësime se Merkel po minon fjalën e lirë në Gjermani, pasi ajo ka pranuar një kërkesë nga Ankaraja për të ndjekur penalisht një komedian gjerman, i cili ka vënë në lojë presidentin Rexhep Tajip Erdgoan.
Duke shkuar me tej, Merkel u akuzua gjithashtu se mbylli njërin sy përballë situatës së vështirë të sirianëve në Turqi; vetëm një pakicë e tyre mund të punësohen në vend, shumica kryejnë aktivitet në të zezë dhe jetojnë në një varfëri të madhe. Ndërsa kancelarja u shpreh se kampi “Nizip”, që vizitoi ishte për t’u marrë shembull, turqit ngrenë pyetjen: po të tjerët që jetojnë jashtë kampeve?
Ndërsa, “Amnesty International” mendon se presioni i madh që Merkel po bën për zbatimin e marrëveshjes BE-Turqi, ka detyruar këtë të fundit që të dëbojë refugjatët mbrapsht në Siri, me qëllim që mos të kalohet kuota e vendosur nga BE për fluksin e personave që kalojnë kufirin.