28,12,2024

Në vjeshtë mund të ketë zgjedhje të parakohshme

Must Read

zgjedhjet-ne-Kosove-780x439

Ndonëse institucionet aktuale të Kosovës ndodhen në gjysmën e mandatit kushtetues, tema e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare sa vjen e aktualizohet.

Vjeshta e këtij viti, supozohet si një afat optimal kur vendi mund të shkojë eventualisht në zgjedhje të reja.

Partitë opozitare, konsiderojnë se në Kosovë duhet të mbahen zgjedhjet e parakohshme, në mënyrë që siç thuhet, vendi të dalë nga kriza politike.

Kurse sipas analistëve politik, një lloj përgatitje për zgjedhje po vërehet edhe te subjektet në pushtet. Andaj, sipas tyre, në zgjedhje mund të shkohet nëse diçka e tillë i konvenon Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), subjekt ky më i madh aktualisht në vend.

Analisti Imer Mushkolaj, thotë që kur partitë opozitare kanë kundërshtuar marrëveshjen e arritur në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, ka nisur një lloj fushate dhe që atëherë, kërkesat për zgjedhje të jashtëzakonshme janë shpeshtuar.

“Pas zhvillimeve të fundit po duket se kjo çështje është kristalizuar edhe më shumë dhe çfarëdo veprimi i mëtutjeshëm që bëjnë partitë opozitare, shkon vetëm në favor të zgjedhjeve. Kemi parasysh edhe koalicionin në mes të AAK-së dhe Nismës. Në anën tjetër edhe përpjekjet e Lëvizjes Vetëvendosje që të mbahet bashkë blloku opozitar, respektivisht këtij blloku t’i shtohet një numër i njerëzve nga shoqëria civile”, ka deklaruar Mushkolaj.

Ndërkaq, analisti politik Halil Matoshi ka thënë për Radion Evropa e Lirë se pas mosmarrëveshjeve brenda partive politike opozitare, megjithatë, nuk duket se do të ketë zgjedhje në një periudhë të shpejt kohore, ndonëse nuk e përjashton mundësinë që ato të thirren qysh në vjeshtën e këtij viti.

Marrë parasysh që ish-lideri i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi tani është president i zgjedhur i Kosovës, kjo parti politike vlerësohet se do të kërkojë një kohë shtesë për të afirmuar liderin e saj të ri Kadri Veselin.

“PDK-ja mund të diktojë zgjedhjet e parakohshme në vjeshtë nëse ajo konsideron se është mjaftë e fortë sa të dalë e para në një proces zgjedhor. Kështu që kryetari aktual i saj zoti Veseli të nominohet për kryeministër të vendit”, tha Matoshi.

Në anën tjetër, Imer Mushkolaj mendon se jo vetëm partitë politike që tash janë në opozitë, po shprehin interesim për zgjedhje. Sipas tij edhe partia me e madhe në Kosovë, Partia Demokratike e Kosovës, ka interesim që vendi të shkojë në zgjedhje.

“Besoj se për zgjedhje është e interesuar edhe Partia Demokratike e Kosovës, sidomos tash pas largimit të zotit Thaçi nga kreu i partisë në pritje të marrjes së lidershipit nga zoti Veseli. Duket se e vetmja parti e cila nuk është e interesuar për zgjedhje dhe nuk i konvenojnë në këto momente është Lidhja Demokratike e Kosovës”, është shprehur Mushkolaj.

Përderisa, Halil Matoshi, zhvillimet në partitë opozitare që quan deri të ndarja e tyre në dy tabore, apo aderimin e ish-shefes së Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Donika Kadaj Bujupi në Lëvizjen Vetëvendosje, i sheh si çështje normale.

“Sa i takon rirreshtimit të partive politike është shumë e natyrshme që AAK dhe Nisma do të fuzionohen dhe do të paraqiten si partia e tretë, eventualisht që do të merrte pjesë në krijimin e qeverisë. Lëvizja Vetëvendosje mbetet e vetme në luftë kundër keq qeverisjes, sepse blloku AAK dhe Nisma synojnë ta ndërrojnë qeverinë, kurse Vetëvendosje synon të ndryshojë qeverisjen dhe këtu kjo Lëvizje e bën ndryshimin”, ka thënë Matoshi.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën janë pajtuar për inicimin e krijimit të boshtit opozitar në Kosovë.

Pjesë e marrëveshjes nuk është edhe Lëvizja Vetëvendosje, pavarësisht se këto tri subjekte politike për shtatë muaj kishin koordinuar veprimet e tyre politikë si në Kuvend ashtu edhe në rrugë, në kundërshtim të politikave të qeverisë aktuale të Kosovës.

Sekretari i Nismës për Kosovën, Bilall Sherifi, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se marrëveshja parasheh ndërtimin e një boshti opozitar, i cili do të jetë i hapur për partitë e tjera politike, si dhe për përfaqësues të shoqërisë civile e personalitete nga jeta publike.

Partitë politike në opozitë, pavarësisht mosmarrëveshjeve brenda tyre, kërkojnë largimin e qeverisë aktuale e cila udhëhiqet nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës./rel/

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Agim Aliu: I gjithë Ferizaj në terr, kjo është e pashembullt!

Ditëve të fundit e veçanërisht sot, Ferizaj po përballet me gjendje të pashembullt e të pandodhur më parë sa...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img