Kaçanik– Në përvjetorin e 17 të rënies, në fshatin Sllatinë, janë përkujtuar dëshmorët: Ramadan Xhokli, Isen Elezi, Shaban Elezi, Naim Beka, Agim Matoshi dhe Avni Shehu si dhe 13 martirë të lirisë. Në emër të Këshillit organizues për shënimin e përvjetorit të të rënëve, ka folur Kemajl Murseli, bashkëluftëtar e njëherësh anëtar i Kuvendit Komunal. ”Përmasat e këtyre figurave tashmë historike rriten edhe pse vitet kalojnë, sepse heronjtë duken më të mëdhenjë nga largësia e kohës. Kujtimi për ta nuk do të vdes kurr sepse do të jetoj përjetësisht Kosova dhe ideali I tyre” tha mes tjerash Kemajl Murseli.
Ndërkohë, Kryetari I Komunës së Kaçanikut Besim Ilazi tha se duke përkujtuar të rënët ne nderojmë sakrificën e të parëve tanë, të cilët luftuan për lirinë që sot e gëzojmë, “ Duke kujtuar dëshmorët dhe të rënët, kujtojmë luftën e lavdishme dhe sakrificën e popullit tonë. Dhembjen dhe krenarinë e kemi të përbashkët” tha mes tjerash Kryetari Ilazi.
Në fjalën e rastit, Hajrush Kurtaj ish zëvëndës komandant i Brigadës 162 “Agim Bajrami” evokoi kujtimet për këtë ditë 17vite më parë. “ Jemi mbledhur sot këtu për ta shënuar kujtimin tonë të përbashkët në 17 vjetorin e luftës së përgjakshme të Sllatinës me fshatra për rreth, fshatra të qëndresës dhe sakrificës,që nga forcat serbe u sulmua me forca të mëdha militare dhe paramilitare serbe, më13 prill 1999. Prilli i vitit ’99 si çdo kund tjetër në Kosovë edhe në Komunën tonë ishte i përgjakshëm” tha në fjalën e tij Kolonel Kurtaj. Në emër të familjeve të dëshmorëve foli Kosovar Xhokli.
Pranë pllakës përkujtimore te Ura e madhe janë vendosur kurora lulesh, ndërsa më pas janë bërë homazhe te Varrezat e dëshmorëve. Është shfaqur edhe një program kulturor artistik nga nxënësit e shkollës së Doganajve, ndërkaq këngëtari i mirënjohur Milaim Mezini para të pranishmëve këndoi kolazh këngësh për dëshmorët e kësaj ane.