Nga të dhënat e ofruara nga tereni në Komunën e Vitisë rezulton se janë vrarë nga periudha prill 1999- qershor 1999 gjithsejtë 29 persona. Ushtria serbe ku merrnin pjesë edhe ushtar rus, rumunë, romë dhe grupe paramilitare kanë vrarë shqiptarë të pafajshëm në vende të ndryshme dhe fshatra të Vitisë raporton rajonipress.
Sipas “Dosjes së Vitisë” vrasje janë bërë në fshatrat, Lubishtë, Gjylekar, Sllatinë, Verban, Sadovinë, Trestenik, Kabash, Devajë, Debëllde, Drobesh, Novosellë, Radivojc, Shushk, Smirë, etj. Në të gjitha vrasjet forcat serbe kanë përdorur metodat më çnjerëzore, deri tek dhunimi i grave dhe vajzave të reja.
Dëshmitarët e kësaj masakre, por edhe Komisioni për hulumtimin e krimeve të luftës në Viti i përbërë nga Sherif Sherifi, Alush Sinani, Hysen Imeri dhe Agim Sylejmani kanë identifikuar si të dyshuar serbët Goran Vasiq nga Tërpeza komandant i stacionit policor në Viti, Sveta Marinkoviq nga Kllokoti, Sreçko nga Zhegra, Lubisha Bosiq nga Mogilla. Nenadi nga Tërpeza, Dragani automekanik nga Parteshi i Gjilanit si dhe Rambo nga Gjilani.
Sipas dëshmitarëve dhe sipas informacioneve që janë mbledhur nga tereni grupi i paramilitarëve serb i cili kontrollohej nga ushtria serbe zullumin e kishte nisur fillimisht në fshatin Radivojc ku serbët e njohur me nofkat “Trajku”, “Truba”, “Sveta”, “Novica”, “Dragoljubi”, “Vitku”, kishin djegur e plaçkitur 51 shtëpi.