28,11,2024

Zvarritja 37-mujore e kallëzimit Penal ndaj ProCredit

Must Read

largea_gjykata1356353508-645x380

Kallëzimi i një ish-menaxhereje të bankës ka kaluar një aventurë të stërzgjatur nëpër sirtarët e prokurorisë, ndërsa hetimet e ndjekura ngrenë pikëpyetje mbi zbatimin e procedurave.

 Kallëzimit penal të një ish-menaxhereje të ProCredit Bank në Kosovë ndaj dy drejtuesve të këtij institucioni, i është dashur më shumë se 3 vjet që të arrijë në shqyrtimin dhe vendimin përkatës nga drejtësia kosovare.

Diturie Hoxha kishte ushtruar një kallëzim penal ndaj dy menaxherëve të kësaj banke në tetor të vitit 2012, ndërsa në janar të vitit 2016, nga prokuroria ishte njoftuar se kallëzimi i saj ishte hudhur.

Më parë, Hoxha kishte qenë e punësuar si drejtore e Shoqatës së Bankave të Kosovës, dhe e kishte filluar punën në ProCredit si udhëheqëse e departamentit të trajnimeve në janar të vitit 2012.

Kur u shkarkua nga pozicioni i saj në bankë në shtator të po atij viti, Hoxha ndjeu se të drejtat e saj nga marrëdhënia e punës ishin shkelur, ndaj përmes avokates së saj, Vahide Braha, ajo ngriti kallëzim penal ndaj Nora Rracit, menaxhere në ProCredit Bank si dhe ndaj Ilir Aliut, drejtor i kësaj banke në Kosovë.

Sipas kallëzimit penal të datës 3 dhjetor 2012, Hoxha pretendonte se të përmendurit në kallëzim, më datë 6 shtator 2012, në mënyrë arbitrare dhe pa arsye ligjore, i kanë ndërprerë kontratën e punës të datës 13 janar 2012.

Hoxha pretendonte se Nora Rraci dhe Ilir Aliu duke vepruar në mënyrën e përshkruar në kallëzim penal kishin kryer veprën penale shpërdorimi i pozitës zyrtare dhe autorizimit.

Ky kallëzim penal i Hoxhës, pas shumë shëtitjeve nëpër dollapët e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, është hudhur poshtë, me arsyetimin se nuk janë gjetur elemente të veprës penale.

Rrugëtimi pa adresë i kallëzimit

Fillimisht, Gazeta JNK zbulon se kallëzimi penal i ushtruar nga, avokatja, Vahide Braha, në emër të Diturie Hoxhës, kundër Nora Rracit dhe Ilir Aliut, ishte pranuar në Prokurorinë e Qarkut (tani Prokuroria Themelore në Prishtinë) në departamentin e krimeve të rënda më datë 11 tetor 2012.

Nga përgjigjja e zyrës për informim të prokurorisë nuk bëhet e ditur se kur kjo lëndë i është ndarë në punë prokurorit Ilaz Beqiri, por nga përgjigja e tyre vërehet se deri më 10 korrik të vitit 2013, kjo lëndë ishte mbajtur nga ky prokuror dhe nuk dihet se çfarë veprimesh janë ndërmarrë gjatë kësaj kohe.

Më 10 korrik 2013, prokurori Ilaz Beqiri me akt përcjellës e ka dërguar këtë lëndë në kompetencë në drejtim të veprës penale cenim i të drejtave nga marrëdhënia e punës.

Nëntë ditë pas kësaj, prokurorja Bukurije Gjonbalaj e ka pranuar këtë lëndë, ndërsa më 11 dhjetor 2014, ose 1 vit e 5 muaj pas kësaj date, prokurorja Gjonbalaj ka autorizuar pjesëtarët e policisë për ndërmarrjen e veprimeve hetimore për ndriçimin e këtij rasti.

“Më datë 19.07.2013, prokurorja Bukurije Gjonbalaj e ka pranuar këtë lëndë, ndërsa më datë 11.12.2014, me autorizimin PP.II,nr.4672/2013b, ka autorizuar pjesëtarët e policisë që të ndërmarrin veprime hetimore për ndriçimin e këtij rasti, më datë 05.01.2015 ka marrë në pyetje të dyshuarin Ilir Aliun”, thuhet në përgjigjen e prokurorisë për Gazetën JNK.

Gazeta JNK vëren se përkundër faktit që autorizimi ishte lëshuar me datë 11.12.2014, marrja në pyetje e Ilir Aliut kishte ndodhur më 5 janar 2015.

Lidhur me intervistimin e të dyshuarës tjetër Nora Rraci, prokuroria nuk ka dhënë ndonjë informacion nëse diçka e tillë ka ndodhur ndonjëherë apo jo.

Ky kallëzim nga departamenti i përgjithshëm, kthehet përsëri në departamentin e krimeve të rënda, kësaj radhë, në konsultim edhe me kryeprokurorin Imer Beka.

“Më datë 15.06.2015, ne konsultim me Kryeprokurorin Imer Beka, prokurori i rastit, kallëzimin penal së bashku me shkresat e lëndës e ka kthyer në kompetencë, tek Departamenti i Krimeve të Rënda në drejtim të veprës penale Shpërdorim i pozitës zyrtare dhe autorizimit nga neni 339 paragrafi 3 lidhur me par 1 të KPK-së , pasi që nga shkresat e lëndës kemi konstatuar se nuk ekzistojnë elementet e veprës penale nga neni 182 të KPK-së”, thuhet në përgjigjen e prokurorisë për Gazetën JNK.

Prokurori Ilaz Beqiri, ashtu siç kishte vepruar edhe herën e parë, këtë kallëzim penal përsëri e kthen nga departamenti i krimeve të rënda, në departamentin e përgjithshëm.

“Më datë 28.12. 2015, prokurori Ilaz Beqiri përsëri e ka kthyer në kompetencë tek Departamenti i Përgjithshëm, shkresat e lëndës në drejtim të veprës penale cenim i të drejtave nga marrëdhënia e punës nga neni 182 të KPK-së”, thuhet në përgjigjen e prokurorisë për Gazeta JNK.

Përfundimisht, kallëzimi penal gjeti epilogun e tij në janar të vitit, 2016, ndonëse ky nuk ishte ajo që Diturie Hoxha dhe avokatja e saj kishin pritur.

37 muaj nga koha kur ishte dorëzuar, kallëzimi penal i Diturie Hoxhës, ishte hudhur nga prokurorja Bukurije Gjonbalaj, e cila kishte vlerësuar se nuk ekzistonte elementi penal në veprimet e të dyshuarve, duke thënë se çështja kishte karakter civil.

“…kam hudhë kallëzimin penalë të lartcekur, pasi që nga të dhënat e kallëzimit penal dhe shkresave tjera të cilat gjinden në lëndë, shihet se nuk ka prova të cilat vërtetojnë kryerjen e veprës penale për të cilën janë paraqitur të dyshuarit apo ndonjë vepër tjetër e cila ndiqet sipas detyrës zyrtare”, ishte përgjigja e prokurores Gjonbalaj për Gazetën JNK.

Çka parasheh Kodi i Procedurës Penale?

Kodi i Procedurës Penale i Republikës së Kosovës, më konkretisht neni 82 përcakton rrethanat se kur kallëzimi penal nga policia apo burime tjera hudhet dhe kushtet sipas të cilave mund të bëhet kjo.

Pika 1 e këtij neni përcakton se kallëzimi penal i policisë apo i burimeve tjera me aktvendim hudhet nga prokurori, brenda tridhjetë (30) ditëve, nëse nga raporti është e qartë se: nuk ekziston dyshim i arsyeshëm se është kryer vepër penale; ka kaluar afati i parashkrimit për ndjekje penale; vepra penale është përfshirë me amnisti ose me falje; i dyshuari gëzon imunitet dhe heqja e tij nuk është e mundur ose nuk është miratuar nga organi kompetent; ose ekzistojnë rrethana të tjera të cilat e përjashtojnë ndjekjen.

Në rastin e Diturie Hoxhës, kallëzimi penal është hudhur 37 muaj pasi që ishte pranuar dhe pasi që disa herë ishte shëtitur mes departamenteve të Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe kishte kaluar herë në duart e prokurorit Ilaz Beqiri e herë tek prokurorja Bukurije Gjonbalaj.

Prokurorja Gjonbalaj kohëzgjatjen e vendosjes lidhur me këtë kallëzim penal e arsyeton me faktin e numrit të madh të lëndëve që i ka.

“Më datë 28.12.2012 jam emëruar prokurore, ndërsa jam ngarkuar me 750 lëndë PP dhe me 350 PPN, prej këtyre lëndëve kamë pas shumë lëndë të vjetra të cilave është dashtë ti i jepet përparësi. Kjo ka qenë arsyeja e vetme nga ana ime”, ishte përgjigja e prokurores Gjonbalaj për Gazetën JNK.

Çka më pas?

Avokatja e Diturie Hoxhës Vahide Braha, pasi pas 37 muajsh pasi kishte dorëzuar kallëzimin, pranoi njoftimin për hedhje të këtij aktvendimi, thotë se ndihet e irrituar se pse është dashur kaq shumë kohë.

“Vendimi i hedhjes së kallëzimit pas kaq kohe (viti 2012-2016) është skandaloze. Prokuror ka qen Ilaz Beqiri e nuk di as vet se si u bë që lënda t’i kaloj Bukurije Gjonbalajt vetëm për ta bërë një njoftim se e kemi hedh akuzën, se nuk ka elemente të veprës penale tek të akuzuarit pasi që sipas asaj prokuroreje, kjo qenka një raport juridik i marrëdhënies së punës”, Braha për Gazetën JNK.

Braha tha se e drejta e punës krahas të drejtës civile mbrohet dhe sanksionohet edhe me norma të drejtës penale.

Braha thotë se ka drejtuar dy kërkesa për rishqyrtimin e këtij vendimi Kryeprokurorit Themelor dhe Kryeprokurorit të Shtetit të Kosovës.

“Do të pres 7 ditë një përgjigje dhe nëse ata nuk do të përgjigjen unë do të bëj kallëzim penal së pari për Prokuroren Bukurije Gjonbalajn e ndoshta nuk do jetë fundi këtu. Ne duhet që të respektojmë ligjet ose duhet të deklarojmë se nuk ka shtet”, tha Braha.

Diturie Hoxha, krahas kallëzimit penal, i cili tashmë është hedhur, është e përfshirë edhe në një gjykim tjetër për këtë çështje.

Hoxha është duke vazhduar betejën e saj gjyqësore në procedurë civile kundër Bankës ProCredit.

Gazeta JNK, lidhur me këtë rast ka dërguar pyetje përmes postës elektronike edhe në ProCredit Bank, më datë 24 shkurt, por nuk ka marrë përgjigje.

Gazeta e ka pasur të pamundur të kontaktojë me Ilir Aliun, ndërsa i ka dërguar pyetje avokatit të tij, Dastid Pallaska, por nuk ka marrë përgjigje.

Është kontaktuar edhe Nora Rraci, por ajo nuk ka dashur të deklarohet duke udhëzuar që pyetjet t’i dërgohen bankës.

Gazeta JnK për më shumë se dy javë nuk ka pranuar përgjigje nga ProCredit në pyetjet e parashtruara për këtë rast.

Emisioni Jeta në Kosovë, i kishte kushtuar një emision, largimeve nga puna të punëtorëve të ProCredit Bank në Kosovë.

[youtube https://www.youtube.com/watch?v=S17nXPHR0Aw?feature=oembed]

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Në fundjavë, “KUPA E FEDERATËS 2024”

Spektakli i volejbollit në Kupën e Federatës, fillon këtë fundjavë! Këtë fundjavë nis edicioni i ri i Kupës së FVK-së,...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img