Telashet e shtetasit gjerman Xhemajl Imeri me ligjin dhe rikthimin e pasaportës së konfiskuar.
Një situatë e pazakontë është zbuluar në prag të procesit gjyqësor ndaj Xhemajl Imerit. I dënuar me burgim prej nëntë muajsh mërgimtari me shtetësi gjermane është kthyer në paraburgim vetëm për shkak se avokati i tij kërkoj kthimin e pasaportës.
Ky vendim i gjykatëses ishte konstatuar në aktgjykimin burimor, por pa iu dhënë ankesa palës që për vendimin për pasaportën të ankohet në Gjykatën e Apelit.
I gjendur në një situatë ku nuk mund ta apelonte vendimin, avokati Tomë Gashi i ishte drejtuar gjykatëses Jashanica me një shkresë për të kërkuar kthimin e pasaportës me arsyetimin se klienti i tij mund ta humb punën në Gjermani.
Kërkesa e avokatit Gashi ishte parë ndryshe nga gjykatësja Jashanica. Kjo e fundit në një procedurë të pazakontë vendosi ta kthejë në paraburgim shtetasin gjerman me arsyetimin se ai theu premtimin që i dha gjykatës se nuk do largohej nga Kosova.
Avokati Gashi e quan këtë situatë skandaloze pasi sipas tij gjykatësja nuk ka pasur të drejtë të vendosë për paraburgimin pasi e ka bërë shpalljen e aktgjykimit.
“Është një prej skandaleve të radhës në këtë gjykatë ku mjerisht e kemi pa që gjykata i ka caktuar klientit tim paraburgimin shtatë ditë pasi është shpallur gjykimi,” ka thënë Gashi.
Sipas tij vendimi i gjykatëses ka ardhur si pasojë e kërkesës së tij për të sqaruar procedurat jo të rregullta të konfiskimit të pasaportës. Gashi ka sqaruar se Gjykata e Apelit e ka prishur vendimin e kontestuar të gjykatëses Jashanica dhe për këtë arsye çështja është kthyer në rivendosje.
“Është skandaloze mënyra e veprimit të tillë dhe unë për karrierën 30 vjeçare nuk mbaj mend, nuk di përveç që është jo ligjore se dikujt i është caktua paraburgimi jashtë seancës gjyqësore me vonesë prej shtatë ditëve, do të thotë ose ka gabua gjyqtarja herën e parë kur e ka ndalë pasaportën pa vendim, ndalja e pasaportës ka qenë thuajse në mënyrë private, ose ka gabuar kur e ka caktuar paraburgimin, por kjo tash po dihet, e vërteta është se Gjykata e Apelit e ka aprovuar ankesën time,” tha Gashi.
Megjithatë kilenti i Gashit Xhemajl Imeri do qëndrojë në paraburgim të paktën deri të hënën për shkak se i njëjti nuk ishte sjellë në gjykatore nga qendra e paraburgimit.