Aktivistët e aksionit “Ta pastrojmë Kosovën” kanë realizuar aksionin e gjashtë me radhë, ku është pastruar një deponi e mbeturinave në Fshatin Vojnikë të Komunës së Skenderajit, në të cilën janë larguar 95 thasë me mbeturina dhe tetë kamionë.
Aksionit i janë bashkuar banorët e lagjes, nxënësit dhe arsimtarët e Shkollës Fillore “Skender Skenderi, ku janë mbledhur mbi 200 aktivistë. Aksioni është përkrahur nga ndërmarrja e menaxhimit të mbeturinave “Uniteti” dhe përfaqësues të Drejtorisë së Shërbimeve Publike në Komunën e Skënderajt, thuhet në një komunikatë të kësaj nisme, përcjellë Klan Kosova.
Pas këtij aksioni, banorët e lagjes janë zotuar se do të lidhin marrëveshje me ndërmarrjen “Uniteti”, të cilët do të dërgojnë kontinierë, në mënyrë që të mos hedhin më mbeturina në atë zonë.