FERIZAJ ME TEATËR PËR FËMIJË DHE TË RINJ

Share

Një hap i rëndësishëm për zhvillimin e jetës kulturore dhe artistike në Ferizaj u shënua sot me inaugurimin e Sektorit të Teatrit për Fëmijë dhe të Rinj, një hapësirë e re që do t’u shërbejë brezave të rinj për të zbuluar dhe zhvilluar talentin e tyre në artin skenik.
Inaugurimi u bë gjatë takimit të Drejtorit për Kulturë, Gazmend Bytyçi, me stafin e Teatrit të Qytetit “Adriana”. Me këtë rast, drejtori shprehu mirënjohje të veçantë për Fatmir Hysenin, i cili për 21 vjet udhëhoqi këtë institucion, duke dhënë një kontribut të çmuar në zhvillimin dhe vazhdimësinë e veprimtarisë teatrore në Ferizaj. Njëkohësisht, drejtorit të sapoemëruar, Mevlan Saraçi, i uroi suksese në detyrën e re dhe në realizimin e projekteve të ardhshme artistike.
Sektori i Teatrit për Fëmijë dhe të Rinj plotëson një mungesë të kahershme në infrastrukturën kulturore të qytetit, duke krijuar mundësi për edukim artistik, zhvillim të krijimtarisë dhe përfshirje aktive të fëmijëve e të rinjve në jetën teatrore.
Kjo hapësirë e re synon të afrojë brezat e rinj me teatrin, jo vetëm si spektatorë, por edhe si pjesëmarrës në procesin krijues. Njëkohësisht, ajo krijon kushte për kultivimin e talenteve të reja dhe për ndërtimin e një tradite të qëndrueshme të artit skenik për fëmijë dhe të rinj në Ferizaj.

Të ngjashme: