Një zhvillim i papritur është zbuluar gjatë hetimit të një rasti zjarri në Ferizaj, ku Policia ka hasur në një armë me municion dhe zhurmëmbytës brenda një shtëpie.
Rasti ka ndodhur më 3 maj 2026 rreth orës 08:30, në rrugën “Gucia”, ku njësitë e hetimeve dhe forenzika ishin duke kryer ekzaminime lidhur me një incident zjarri të raportuar më herët.
Gjatë kontrollit të vendit të ngjarjes, në një hapësirë të shtëpisë është gjetur një pistoletë me karikator dhe pesë fishekë, e cila sipas ekzaminimit rezulton të jetë armë me gas. Bashkë me të është gjetur edhe një zhurmëmbytës.
Arma është sekuestruar nga njësitë e forenzikës, ndërsa pronari i shtëpisë, Flamur Zeqiri rreth 74 vjeç, është intervistuar dhe ka pranuar se arma është në pronësi të tij.
Me autorizim të Prokurorit kujdestar, ndaj tij është iniciuar rasti për “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, sipas nenit 366 të Kodit Penal, ndërsa i njëjti është liruar në procedurë të rregullt.
Hetimet janë në vazhdim.

