Një skemë mashtrimi me kriptovaluta është zbuluar në Ferizaj, ku dy të rinj dyshohet se kanë mashtruar tre persona duke ua marrë mijëra euro.
Rasti kishte ndodhur më 17 prill 2026 në rrugën “Cen Dugolli”, ku të dyshuarit Artan Limani dhe Redon Jahija, duke u paraqitur rrejshëm si investitorë dhe posedues të kriptovalutës USDT, kishin organizuar takim me viktimat E. F., A. F. dhe Rr. K.
Gjatë takimit, duke i vënë në lajthim, ata kanë arritur t’u marrin viktimave një shumë prej 12 mijë euro, ku secili kishte dhënë nga 4 mijë euro me qëllim blerjen e kriptovalutës që në fakt nuk ekzistonte.
Pas raportimit të rastit, njësia e hetimeve ka ndërmarrë veprime intensive dhe më 29 prill 2026 ka zbuluar se të njëjtit po përgatisnin skemën e njëjtë mashtruese, kësaj radhe në rrugën “Ismail Reka” në Kaçanik, në një lokal të marrë me qira.
Policia ka ndërhyrë në momentin kritik, duke arrestuar në vend Artan Limanin, ndërsa Redon Jahija është kapur pas disa minutash ndjekjeje në rrugën “Skënderbeu”.
Gjatë operacionit janë sekuestruar: një makinë për numërimin e parave, një çantë e përdorur për bartjen e parave, një veturë Golf 7, me të cilën planifikohej largimi nga vendi i ngjarjes, ku është konstatuar se targat i përkisnin një veture tjetër të markës Mercedes.
Po ashtu, nga hetimet dhe me ndihmën e viktimave, është arritur identifikimi i të dyshuarit kryesor, i cili kishte kontaktuar dhe kishte marrë paratë në rastin e parë.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, të dy të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë nën dyshimin për veprën penale “Mashtrimi” sipas nenit 323 të KPRK-së.
Rasti është në hetime dhe nuk përjashtohet mundësia që të ketë edhe viktima të tjera.

