Kapen me mbi 700 gram marihuanë në depo në Ferizaj

Share

Një zhvillim i ri ka dalë nga aksioni antidrogë në Ferizaj, ku pas arrestimit të një të dyshuari, dy persona të tjerë janë kapur duke tentuar të fshehin provat, mëson Sinjali.

Fillimisht, më 22 prill rreth orës 21:00, njësitë e DHTN-së kanë arrestuar në flagrancë Mërgim Ismanin, teksa iu gjetën disa qese me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë.

Pas arrestimit, hetimet kanë zbuluar se në shtëpinë e tij kishte pasur një sasi më të madhe të narkotikëve, e cila ishte larguar nga aty nga persona të tjerë me qëllim fshehjen e saj.

Burime të sigurta bëjnë të ditur se, pas një pune intensive hetimore, policia ka arritur të identifikojë dhe lokalizojë dy të dyshuarit: Leutrim Mani, 30 vjeç, dhe Getoar Saiti, 33 vjeç.

Të njëjtit dyshohet se kanë marrë drogën nga shtëpia e Ismanit dhe e kanë fshehur në një depo në rrugën “Rifat Berisha” në Ferizaj, pronë e njërit prej tyre.

Gjatë kontrollit, policia ka sekuestruar një sasi të konsiderueshme të marihuanës, mbi 700 gram në total, si dhe një peshore digjitale që dyshohet se përdorej për ndarjen e dozave.

Sipas të dhënave, nëse kjo sasi do të shpërndahej në doza të vogla, vlera në treg do të arrinte rreth 3800 euro.

Me urdhër të Prokurorit kujdestar, ndaj dy të dyshuarve është iniciuar rasti për veprën penale “Manipulimi me prova”, ndërsa të njëjtit janë ndaluar për 48 orë.

Rasti po hetohet nga njësitë përkatëse në Ferizaj.

Të ngjashme: