Shënohet Dita Ndërkombëtare e Shëndetit Oral

Share

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Shëndetit Oral, e cila shënohet më 20 mars, ekipet e Grupit për Edukim dhe Promovim Shëndetësor të QKMF-së në Ferizaj, në bashkëpunim me Sektorin e Shëndetit Oral, organizuan një sërë aktivitetesh vetëdijësuese të dedikuara për fëmijët.

Në kuadër të këtyre aktiviteteve, ekipet vizituan kopshtet e fëmijëve “Ardhmëria jonë” dhe “Engjëjt”, ku zhvilluan sesione informuese mbi rëndësinë e kujdesit për shëndetin oral që në moshë të hershme. Fëmijët patën mundësinë të mësojnë në mënyrë interaktive për higjienën e gojës, ndërsa u realizua edhe demonstrimi praktik i teknikave të sakta të pastrimit të dhëmbëve. Aktiviteti u karakterizua nga pjesëmarrja aktive e fëmijëve, duke e bërë procesin edukativ më tërheqës dhe efektiv.

Gjithashtu, aktivitete të ngjashme u zhvilluan edhe në QMF 9 në fshatin Softaj, ku morën pjesë nxënësit e klasës së parë, të katërt dhe të pestë nga shkolla fillore “Arsim Rexhepi” në fshatin Sazli. Gjatë vizitës, nxënësit u informuan mbi rëndësinë e mirëmbajtjes së shëndetit oral dhe parandalimit të problemeve dentare.

Këto iniciativa synojnë të rrisin ndërgjegjësimin për kujdesin ndaj higjienës orale dhe të nxisin krijimin e shprehive të shëndetshme që në fëmijëri, duke kontribuar në përmirësimin e shëndetit të përgjithshëm të komunitetit.

Të ngjashme: